Gjykata Supreme e Arabisë Saudite ka rrëzuar dënimin me vdekje ndaj 27-vjeçarit Anojan Sivarasa, një emigrant nga Sri Lanka, i dënuar për blasfemi pas një komenti në rrjetin social Facebook. Lajmi u konfirmua nga zëvendësministri i Jashtëm i Sri Lankës, Arun Hemachandra.
Sivarasa ishte dënuar me vdekje në shtator, pasi një gjykatë apeli saudite e shpalli fajtor për fyerje ndaj Islamit dhe profetit Muhamed përmes një komenti të publikuar në gjuhën tamile. Çështja shkaktoi reagime të forta në Sri Lanka dhe nxiti përpjekje diplomatike për të siguruar faljen e tij.
Sipas raportimeve, ngjarja nisi në fund të qershorit, kur pamjet e një të riu mysliman duke goditur një qen, pas një grupi pelegrinësh hindu, u përhapën gjerësisht në rrjetet sociale. Diskutimet që pasuan u shoqëruan me tensione fetare dhe komente fyese në internet.
Gjatë debatit, një përdorues publikoi komente përçmuese ndaj një hyjnie hindu, ndërsa Sivarasa iu përgjigj me një koment fyes ndaj profetit Muhamed. Edhe pse ai e fshiu shpejt komentin dhe publikoi një video ku kërkonte falje, një fotografi e komentit u vu në dijeni të punëdhënësit të tij dhe autoriteteve saudite.
Punëtori u arrestua në korrik. Fillimisht, Gjykata Penale e Al-Ahsas e dënoi me pesë vjet burg dhe një gjobë prej tre milionë rialësh sauditë.
Deputeti nga Sri Lanka, Faizer Mustafa, i përfshirë në negociatat ligjore me Arabinë Saudite, konfirmoi për BBC Sinhala se dënimi me vdekje ishte rrëzuar. Ai shtoi se pala e Sri Lankës po shqyrton vendimin e fundit të Gjykatës Supreme.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse do të ketë procedura të tjera gjyqësore, nëse Sivarasa do të vijojë të mbahet në paraburgim apo sa mund të zgjasë ndalimi i tij. Familja e 27-vjeçarit kishte deklaruar më herët se nuk kishte pasur kontakt të drejtpërdrejtë me të që prej 28 shtatorit.
Edhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kishin bërë thirrje që autoritetet saudite të mos e ekzekutonin. Human Rights Uatch kritikoi përdorimin e ligjeve që parashikojnë dënime të rënda për shprehjen e mendimeve, veçanërisht ndaj punëtorëve emigrantë, të cilët shpesh ndodhen në kushte të cenueshme dhe me mbrojtje të kufizuar ligjore.
