E dimë të gjithë tashmë se Dinamo ka në skuadër disa nga lojtarët më të lakmuar të klubeve më të mëdha jashtë vendit. Blutë e dinë shumë mirë se çfarë kanë në duart e tyre dhe janë gati të përfitojnë, por duket se nuk kanë ndërmend të heqin dorë aq lehtë nga sukseset sportive në këmbim të financave. Presidenti Bardhi e ka marrë Dinamon jo vetëm për të përfituar para, por edhe për të lënë një shenjë në futbollin shqiptar, për t’u mbajtur mend si dikush që ndriti në piedestal një klub të mbetur në “koma” prej vitesh.

“BLLOKIM” – Mes parave dhe dëshirës për sukses, drejtuesit e Dinamos kanë vendosur që pavarësisht shifrave të mëdha që janë në tavolinë për katër lojtarë, të bllokojnë çdo shitje të mundshme deri pas mbylljes së aventurës në Europë. Në klub kanë dëshirë të përparojnë sa më shumë në Ligën e Konferencës dhe vetëm pasi të jetë mbyllur fushata në këtë kompeticion, Dinamo do të jetë e gatshme të shqyrtojë ofertat dhe të vendosë mbi të ardhmen e lojtarëve.

4 MILIONË – Nuk e lexuat keq, janë afro 4 milionë euro në tavolinën e Dinamos për po aq lojtarë. Në adresë të “Nëndetëses” kanë mbërritur oferta zyrtare nga klube jashtë vendit për katër lojtarë në total. Dy të parët dhe ata që pritet të shiten më shtrenjtë janë Baton Zabërgja dhe Itodo Mandela, shifra e të cilëve pritet të jetë në kufijtë e 3 milionë eurove.

DY TË TJERËT – Por ata nuk janë të vetmit, pasi “Panorama Sport” mëson se te Dinamo ka interes të shtuar edhe për brazilianin Lorran dhe mesfushorin Gudiabi. Mbrojtësi i majtë ka shpërthyer në këtë sezon dhe ka ngjallur interesin e klubeve më të forta jashtë vendit, teksa e njëjta gjë vlen edhe për Gudiabin. Por nëse Zabërgja dhe Mandela janë shitje thuajse të sigurta, pritet që për këtë dyshe klubi të mendohet pak më gjatë, pasi nuk dëshiron që të largojë aq shumë lojtarë, sa të vërë në diskutim vijimin e një cikli të nisur me sezonin që sapo u mbyll. Me siguri blutë do të përpiqen që fillimisht të gjejnë zëvendësues e më pas të shqyrtojnë ofertat e ardhura.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb