Kombet e Bashkuara kanë dorëzuar karburant në Rripin e Gazës për herë të parë pas më shumë se katër muajsh, ndërsa fushata ushtarake e Izraelit në këtë territor vazhdon të marrë çdo ditë jetë njerëzish, sipas burimeve palestineze.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric tha se në Gaza u dorëzuan 75 000 litra karburant, në një zonë të shkatërruar nga lufta dhe ku qindra mijëra njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare.

“Një ekip i Kombeve të Bashkuara ka dërguar rreth 75,000 litra karburant në Gazë, dërgesa e parë e tillë pas 130 ditësh, tha sot zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric në Nju Jork.

“Kjo sasi nuk është e mjaftueshme për të mbuluar as edhe një ditë të nevojave për energji. Karburanti po mbaron dhe shërbimet do të ndërpriten nëse vëllime shumë më të mëdha nuk dërgohen menjëherë”, u tha Dujarric gazetarëve.

Karburanti është jetik për të furnizuar me energji gjeneratorët e spitaleve, furrave të bukës dhe objekteve të tjera esenciale në Gazë, e cila mbetet nën bllokadë izraelite.

Dujarric paralajmëroi për pasojat e mungesës së vazhdueshme të karburantit, duke theksuar se brenda disa ditësh, mungesa e karburantit mund të ndërpresë furnizimin me ujë të pijshëm për rreth 44 000 fëmijë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb