Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) reagoi ndaj zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme nga ushtria e Mianmarit edhe për dy vjet të tjera pas grushtit të shtetit, duke paralajmëruar se vendi “po largohet nga qeverisja demokratike”.

“Kjo situatë nuk na çon në rrugën e duhur. Përkundrazi, largon nga thirrjet tona për një rikthim në sundimin demokratik, lirimin e të burgosurve politikë dhe dhënien fund dhunës dhe shtypjes”, tha zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Stephane Dujarric në një konferencë shtypi, në lidhje me vendimin e ushtrisë së Mianmarit për ta vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme deri në vitin 2023 dhe për të shtyrë zgjedhjet.

Duke vënë në dukje se të paktën 930 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën nga duart e forcave të sigurisë që nga grushti i shtetit në Mianmar më 1 shkurt, Dujarric tha se mijëra njerëz, përfshirë politikanë, shkrimtarë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, gazetarë dhe civilë, janë në arrest.

Ai deklaroi se kriza e vazhdueshme pas grushtit të shtetit në Mianmar ka penguar gjithashtu qasjen tek nevojtarët, arsimin, shëndetësinë dhe luftën kundër pandemisë COVID-19.

Ndryshe, Gjeneral Min Aung Hlaing, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, i cili mori pushtetin në Mianmar me një grusht shteti, njoftoi më 1 gusht zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme për dy vjet dhe shpalli veten kryeministër të qeverisë së përkohshme.

Ushtria e Mianmarit mori pushtetin më 1 shkurt, pas akuzave për mashtrim në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe rritjes së tensionit politik në vend.

Ushtria kishte ndaluar shumë zyrtarë dhe udhëheqës të partive në pushtet, veçanërisht udhëheqësen de fakto të vendit dhe ministren e Jashtme Aung San Suu Kyi, si dhe kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për një vit.

Mbi 930 njerëz kanë humbur jetën si rezultat i ndërhyrjes së ushtrisë së Mianmarit kundër kundërshtarëve të grushtit të shtetit. Gjersa protestat me pjesëmarrje të madhe vazhdojnë në vend, në gjykatat ushtarake vazhdon gjykimi i zyrtarëve të lartë qeveritarë në paraburgim.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb