Qeveria e Koresë së Veriut po përdor gjithnjë e më shumë dënimin me vdekje , madje edhe për njerëzit që kapen duke parë dhe shpërndarë filma dhe seriale televizive të huaja, sipas një raporti të OKB-së.

Sipas BBC-së , Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut zbuloi se gjatë dekadës së fundit, regjimi autoritar i Kim Jong-un ka zgjeruar kontrollin e tij mbi “të gjitha aspektet e jetës së qytetarëve”.

“Asnjë popullsi tjetër në botë nuk i nënshtrohet kufizimeve të tilla”, përfundoi raporti, duke shtuar se mbikëqyrja është bërë edhe më mbytëse me ndihmën e teknologjisë.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk , tha se nëse kjo situatë vazhdon, koreano-veriorët do të përjetojnë edhe më shumë dhimbje, frikë dhe shtypje në të ardhmen.

Raporti, i cili bazohet në më shumë se 300 intervista me njerëz që arritën të “shpëtonin” nga Koreja e Veriut gjatë 10 viteve të fundit, zbuloi se dënimi me vdekje po përdoret më shpesh. Siç raporton BBC, të paktën gjashtë ligje të reja janë futur që nga viti 2015 që lejojnë dënimin.

Një nga “krimet” që tani mund të dënohet me vdekje është shikimi dhe shpërndarja e përmbajtjes së huaj, siç janë filmat dhe serialet televizive, ndërsa Kim Jong-un përpiqet të bllokojë qasjen e qytetarëve në informacion në çdo mënyrë.

Dezertuesit e Koresë së Veriut u kanë thënë hetuesve të OKB-së se që nga viti 2020 ka pasur më shumë ekzekutime për shpërndarjen e përmbajtjes së huaj. Këto ekzekutime kryhen publikisht nga një detashment ushtarak për të mbjellë frikë tek njerëzit dhe për të penguar “krime” të ngjashme.

Kang Gyuri, e cila iku nga vendi në vitin 2023, i tha BBC-së se tre nga shoqet e saj u ekzekutuan pasi u kapën me përmbajtje të Koresë së Jugut në posedim të tyre. Ajo mori pjesë në gjyqin e një miku të saj 23-vjeçar, i cili u dënua me vdekje.

“Ata e gjykuan atë me kriminelë që u arrestuan për drogë. Këto vepra penale tani trajtohen njësoj”, tha ajo, duke shtuar se që nga viti 2020 njerëzit në atdheun e saj janë bërë edhe më të frikësuar.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb