Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska dhe Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdogan, kanë rënë dakord për evakuimin e dy jetimoreve nga rajoni i Odesës.

“Kemi rënë dakord me zonjën Emine Erdogan për evakuimin e dy jetimoreve nga rajoni i Odesës. Këta janë fëmijë shumë të vegjël nën moshën tre vjeç, për të cilët është e rrezikshme të qëndrojnë në Ukrainë tani. Mendoj se do të shkojnë në Turqi pas disa javësh”, tha Zelenska.

Ajo vuri në dukje se nuk ndjen se kolegët e saj janë të lodhur nga lufta ruso-ukrainase. Zelenska shprehu mirënjohjen për faktin që të gjithë e kuptojnë se lufta në Ukrainë është një luftë globale, një luftë botëkuptimesh.

“Të gjithë zgjedhin me kë janë. Dhe ata janë me mua. Ata janë me ne. Të gjithë kolegët e mi në Samitin [Samitin e Zonjave të Parë dhe Zotërinjve], ne bëjmë shumë së bashku. Disa prej tyre kanë kontakte aq të ngushta sa ne mund të kalojmë dhjetë minutat formale të përshëndetjeve gjatë takimit dhe menjëherë të fillojmë të flasim për projektet tona”, shtoi Zelenska.

Ajo saktësoi se shumë projekte ishin në gatishmëri, ato që kanë të bëjnë me ndihmën humanitare, evakuimin e fëmijëve nga Ukraina. Në këtë kuadër, zonja e parë tha se evakuimi i fëmijëve me sëmundje onkologjike kishte filluar që në ditët e para të luftës. Zelenska tha se kolegët e saj nga vendet e tjera luajtën një rol të madh në këtë çështje, mes tyre zonjat e para Agata Kornhauser-Duda nga Polonia, Brigitte Macron nga Franca dhe Elke Budenbender nga Gjermania.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb