Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela, po raporton sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ky është raportimi i parë i kryeprokurorit Çela para KLP për funksionimin dhe administrimin e sistemit të Prokurorisë.

Në fillim të fjalës së tij, kryeprokurori ka thënë se “Duhet të jetë jo thjesht raportim, por bashkëbisedim me anëtarët e Këshillit”.

Sipas ligjit, Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i SPAK duhet të raportojnë një herë në vit para KLP. Ndërkohë, Çela pritet të raportojë edhe para Kuvendit.

Gjatë raportimit, kryeprokurori ka deklaruar se “Ka nje boshllëk në sistem, pasi nuk kontrollohet performanca institucionale.  Fragmentarizohet puna ne 28 vullnete prokurorish apo 28 vullnete prokuroresh. Duhet te kete nje ze. Te behet dallimi mes pavaresise institucionale nga ajo hetimore. Per harten e re gjyqesore duhet te ishte perfshire Prokuroria e Pergjithshme, por nuk eshte kerkuar opinion. Drejtesia nuk eshte prone e jona, Ne jemi operatorë ne funksion te realizimit te interesit publik”.

Më tej, Çela i ka tërhequr vëmendje anëtarëve të KLP-së se komandimet me afat tre mujor për drejtuesit e rretheve janë bërë jo në bazë të performancës së asaj prokurorie.

Ai ka kërkuar më shumë bashkëpunim mes institucioneve, pasi thotë se Kryeprokurori nuk ka asnjë informacion si po ushtrohet detyra e Drejtuesve të Prokurorive.

“Nga ana e KLP keni dy tre vite duke komanduar drejtues në periudha 3 mujore në të gjitha prokuroritë e vendit. Në asnjë rast komandimet që keni bërë nuk është bërë në vlerësimin e performancës së asaj prokurorie. A vallë është pyetur ndonjëherë prokurori i përgjithshëm çfarë bëhet në x apo y. Si po u ushtron detyrat prokurori i komanduar.

A e dini ju që në momentin që ne kemi kërkuar informacion drejtues të prokurorive, sa herë ishin dhënë detyrime për të qenë aktive, për të ndikuar në mënyrën si zbatohen politikat, për fat të keq përgjigjet ose nuk kish fare ose shifrat ishin qesharake?

Kemi drejtues prokurorie që mendojnë se janë drejtues prokurorie të dikurshëm. Harrojnë që ka një marrëdhënie institucionale që duhet të respektojnë.

Nuk është drejtues prokurorie ai që mban dosjet në zyrën e vet, këta janë drejtuese që duhet ndëshkohen sepse cenojnë pavarësinë e prokurorëve.

Kemi të dhëna si po mbahen këto regjistra. Kërkojmë të dhënat dhe të dhënat janë të vakta. Nuk kemi një pasqyrim të qartë, ndaj ne i kemi kërkuar ILD një inspektim tematik për mënyrën si po zbatohen këto kërkesa”, është shprehur ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb