Në heshtje, pa debat publik dhe pa asnjë përmirësim shërbimi, kompania ONE Albania ka njoftuar rritje të tarifave për abonentët e saj, duke nisur nga 1 maji 2026.
Në një mesazh standard dërguar nëpër telefonat e abonentëve, kompania u thotë atyre se çmimet do të rriten deri në 2.2%, bazuar në indeksin e çmimeve të konsumit të publikuar nga INSTAT.
Një formulë teknike, e paketuar me terma që shumica nuk i kupton, por që në thelb përkthehet shumë thjesht: më shumë para për të njëjtin shërbim.
Me gjithë rritjen e çmimit, qytetarët nuk do të përfitojnë asnjë megabajt më shumë, asnjë minutë më shumë dhe as cilësi më të mirë. Vetëm do të paguajnë faturë më të lartë.
Kjo nuk është rritje e lidhur me investime apo përmirësim rrjeti. Është një mekanizëm i pastër financiar, i parashikuar në kontrata, që i lejon kompanisë të mbrojë fitimin e saj, duke ia kaluar koston drejtpërdrejt qytetarit.
Rritja prej 2.2% mund të duket e vogël në dukje. Por kur bëhet çdo vit, ajo kthehet në një taksë të heshtur mbi çdo qytetar e familje, të cilët paguajnë më shumë vit pas viti për të njëjtin shërbim.
Ndërkohë që çmimet vazhdojnë të rriten, reagimet në rrjet janë të shumta. Qytetarët jo vetëm kundërshtojnë rritjen e tarifave, por rikthejnë në vëmendje edhe problemet e vazhdueshme me shërbimin telefonik të ONE. Ata ngrenë shqetësime për cilësinë e dobët të shërbimit, mungesën e mbulimit dhe shpejtësinë reale të internetit, ndërsa theksojnë se ankesat e tyre shpesh mbeten pa përgjigje.
Abonentët ankohen gjithashtu për ndërprerje të shpeshta të shërbimit dhe internet të ngadaltë. Një nga rastet më problematike ishte ai i tre javëve më parë, kur kompania pësoi një bllokadë totale, duke lënë përdoruesit pa shërbim për rreth 120 minuta.
Pyetja është e thjeshtë: nëse inflacioni është arsye për të rritur çmimet, pse nuk është arsye për të rritur cilësinë?
Sepse në këtë marrëdhënie, vetëm njëra palë fiton. Dhe ai nuk është qytetari.
