Gazetari Osman Stafa ka ngritur një alarm të fortë mbi gjendjen dramatike në spitalin onkologjik në Tiranë, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, duke iu bashkuar protestës simbolike të zhvilluar para Ministrisë së Shëndetësisë.
Stafa e krahasoi situatën aktuale me një katastrofë të heshtur, ku paratë publike shpenzohen për projekte të dyshimta, ndërsa spitali që duhet të shpëtojë jetë është lënë në harresë.
“Tigri 1 dhe Tigri 2 e kishin mbyllur historinë e Onkologjikut. Me 160 milionë euro që u harxhuan për to mbyllej çdo hall aty. Por janë po ata dy centralet lundruese në Vlorë, që nuk kanë prodhuar asnjë ditë energji, ndërkohë që ne i paguajmë përditë. Me ato para, mund të ishin blerë të gjitha pajisjet që i mungojnë Onkologjikut,” tha gazetari.
Ai e përshkroi situatën në spitalin onkologjik si “çmenduri totale”, ku mungon gjithçka nga pajisjet te personeli.
“Onkologjiku po digjet. Asnjë pajisje e rëndësishme nuk funksionon. Ka 100 pacientë në ditë dhe vetëm rreth 10 mjekë. Infermierët janë të paktë. Është një sistem i shembur. Një pjesë e mjekëve atje janë heronj që punojnë në kushte skandaloze,” shtoi Stafa.
Sipas tij, problemi nuk qëndron te mungesa e fondeve, por te keqmenaxhimi dhe prioritetet e gabuara.
“Lekët janë, por nuk shkojnë atje ku duhet. Shpenzohen për afera, për luks, për propagandë, ndërsa njerëzit vuajnë dhe vdesin pa trajtim,” u shpreh ai.
