Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, në fjalën e saj në Kuvend në seancën maratonë të ditës së djeshme ku u diskutua në lidhje me projektbuxhetin 2026, deklaroi se pensionistët shqiptarë mbajnë mbi supe peshën e një ekonomie të deformuar dhe të një qeverie që i ka braktisur.

Ajo u ndal edhe tek rritjet e kostove të jetesës, ku tha se Shqiptarët sot paguajnë shportën ushqimore më të shtrenjtë në rajon.

Xhixho u shpreh se situata në shëndetësi është alarmante, ndërsa “Spitali Onkologjik është shembulli më i dhimbshëm i dështimit të qeverisë”

“Spitalet publike janë në kolaps. Pacientët përballen me mungesë medikamentesh, mungesë aparaturash, mungesë mjekësh, listë pritjeje të pafundme dhe shpesh detyrohen të paguajnë nga xhepi edhe për ndërhyrjet bazike që duhej të mbuloheshin nga shteti. Kjo rëndon më shumë se këdo tjetër të sëmurët me kancer.
Spitali Onkologjik është shembulli më i dhimbshëm i dështimit të qeverisë”, tha ajo.

Fjala e plotë: 

I nderuar kryetar!
Të nderuar kolegë!
Teksa dëgjuam propagandën e radhës dhe një realitet 3D që vetëm kjo maxhorancë e sheh, është me vlerë për qytetarët që e jetojnë çdo ditë në lëkurën e tyre mjerimin ekonomik e social për të thënë disa të vërteta.

Pensionet
Sot, pensionistët shqiptarë mbajnë mbi supe peshën e një ekonomie të deformuar dhe të një qeverie që i ka braktisur. Pensioni mesatar në Shqipëri është vetëm 170 euro, më i ulëti në gjithë rajonin. Nuk mjafton për ilaçe, nuk mjafton për ushqim, nuk mjafton për jetesë. Dhe çfarë bën qeveria? Asnjë rritje reale. Zero. Kryeministri flet për rritje pensionesh, ndërkohë që ajo që do të ndodhë vitin e ardhshëm është vetëm shpërndarja e bonuseve gjatë vitit, dhe e dini sa do përfitojë në muaj një pensionist? Vetëm 60 lek ose 600 lekë të vjetra, as një kafe nuk blen dot, as një bukë, ndërkohë pensionisti në fshat do ketë rritjë 20 lek në muaj ose 200 lekë të vjetra. Mbi 700 mijë pensionistë jetojnë nën kufirin e varfërisë. Ndaj mos gënjeni pensionistët që i kanë dhënë një jetë këtij vendi, që shumë prej tyre janë pasardhës veteranësh, ku familjarët e tyre kanë marrë pjesë në luftën e LANÇ duke dhënë jetën për vendin dhe ju në 12 vite, edhe pse u keni marrë votën, nuk keni arritur t’u jepni një jetë dinjitoze.

Çmimet e larta
Shqiptarët sot paguajnë shportën ushqimore më të shtrenjtë në rajon. Çmimet e ushqimeve bazë janë më të larta se në Bosnje, Mal të Zi, Maqedoni dhe madje më të larta se në disa vende të BE-së. Për më tepër, Shqipëria ka 20% TVSH më të lartë për produktet e shportës krahasuar me rajonin dhe Europën. Ndërkohë që vendet fqinje e kanë: Kosova 8%, Maqedonia e Veriut 5%, Mal i Zi 7%, Greqia 6% dhe Italia vetëm 4%. Edhe në këtë buxhet asnjë ulje e kësaj takse, edhe pse Kryeministri tha në 2013 se do e bënte 0 TVSH-në për produktet e shportës, që janë qumështi, mielli, orizi, veza, makaronat, mielli, vaji, perimet bazë etj. Partia e Lirisë ka propozuar uljen e TVSH-së për shportën ushqimore, si masën më të drejtë dhe më të domosdoshme për të ulur menjëherë çmimet. Ndaj duhet të miratohet sa më parë për të ndihmuar në mënyrë direkte në ekonominë familjare.

Siguria ushqimore
Skandalet me ushqimin nuk janë as të rralla dhe as të izoluara. Media ka ngritur alarmin me dhjetëra herë gjatë këtij viti për produkte të skaduara dhe jashtë standardeve që tregtohen normalisht në tregjet tona, madje edhe eksportohen. 10 tonë mandarina janë kthyer nga Kroacia muaj më parë, për shkak të nivelit të lartë të pesticideve. 50 tonë misër me aflatoksinë u bllokuan së fundmi në Elbasan. Po ndalem në këto dy raste, por nuk janë të vetmet. Këto nuk janë thjesht shifra. Këto janë produkte që mund t’i ketë konsumuar çdo familje shqiptare. Dhe ministria kompetente hesht, fshihet, ose shpërndan deklarata boshe. Siguria ushqimore në Shqipëri është lënë në mëshirë të fatit. Ndërkohë edhe në këtë buxhet, në vend që të rritet buxheti për bujqësinë dhe sigurinë ushqimore, ai ngelet në shifrat 2.9% PBB absolutisht larg nevojave të këtij sektori po të marrim parasysh dhe vjedhjen me fondet e IPARD, ku kemi të bllokuara 112 milionë euro për shkak të korrupsionit me fondet e BE.
Ky buxhet sërish i lë vetëm blegtorët, bujqit, fermerët të cilët hedhin produktet e tyre në rruge se nuk ndihmohen nga shteti.

Arsimi
Projektbuxheti 2026 tregon fytyrën e vërtetë të qeverisë nga çdo deklaratë e bukur për arsimin. Vetëm 2.5% e PBB-së është parashikuar për arsimin, kur premtimi i vitit 2013 ishte 5%. Kemi 0.04% më shumë se vitin e kaluar. Pra, në bazë të kësaj llogaritjeje, norma europiane 5% mund të arrihet pas 60 vitesh.
Jemi shumë larg mesatares europiane, por jemi edhe të fundit në raport me vendet e rajonit. Nën mesataren e BE-së prej 5%, nën çdo vend të rajonit. Më lejoni të ndalem në vetëm 3 vende fqinje.
• Maqedonia e Veriut 4.1%
• Mali i Zi 4.3%
• Kosova 4.4%

Shqipëria me buxhet sa dyfishi i Kosovës është e fundit. Dhe kjo mungesë investimi ka pasoja dramatike. 60% e fëmijëve shqiptarë janë analfabetë funksional sipas PISA, një nga rezultatet më të këqija në botë. Ndërkohë, qeveria deklaron “shkolla inteligjente” ndërsa vetëm 0.2–0.3% e PBB-së shkon për infrastrukturë arsimore, kur mesatarja rajonale është 0.8%.
Shkollat janë pa ngrohje, pa laboratorë, pa kushte minimale higjiene. Në arsimin parashkollor, situata është edhe më tronditëse. Vetëm 30% e nevojave për çerdhe e kopshte mbulohen nga sistemi publik në Tiranë. Prindërit detyrohen të paguajnë çmime të papërballueshme në privat. Në Tiranë kemi ende shkolla me dy turne, nuk u mbajt premtimi që dreka do të ofrohej në shkolla këtë vit akademik dhe as në këtë buxhet nuk është parashikuar të garantohet, ndërkohë familjet do jenë të detyruar t’i çojnë fëmijët në after school me 200 euro në muaj. Lagjia e Astirit me 70 mije banorë është ende pa shkollë, kopshte e çerdhe, Sauku pa shkollë dhe lagje të tjera si Fresku apo Komuna e Parisit nuk kanë shkolla. Pasi Tirana është kthyer në lavatriçe të parave të pista, të drogës dhe korrupsionit, ku vend për kulla ka, por për shkolla dhe kopshte nuk ka dhe e dini kush është zgjidhja e kësaj qeverie? Do të marrim ambiente me qera, mjerim dhe shkatërrim të sistemit. Tirana sot është një kaos urban, që nuk ka parqe sepse i ka gllabëruar betoni, është bërë e pajetueshme sepse kosto për të blerë një apartament shkon 2000-4000 euro, se qeratë shkojnë 400-600 euro dhe studentët e familjet e tyre mezi ia dalin për ta përballuar. Një qytet i paralizuar nga trafiku pasi bëhen rrugë me 20 milionë euro km dhe përsëri asnjë lehtësi për qytetarët.

Raporti i KLSH për sigurinë në shkolla
Njësoj alarmante është situata në shkollat e vendit, ku mungon A-ja e çdo politike arsimore: siguria fizike e nxënësve dhe mësuesve, rreth 70% e shkollave në vend nuk kanë oficer sigurie. Një vit më parë, në Shkollën “Fan Noli” u vra Martin Cani. Një ngjarje që tronditi vendin, por që qeveria u përpoq ta mbulojë me heshtje dhe justifikime, ashtu siç bën gjithmonë kur dështimet e saj prekin fëmijët e këtij vendi.
Por faktet nuk i fsheh dot propaganda. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka faktuar përmes raportit të fundit dështimin e sistemit të sigurisë në shkolla:
Seksioni “Shkolla” në databazën e ASCAP nuk është përditësuar prej vitit 2022–2023, sepse oficerët e sigurisë kanë frikë të raportojnë, presione nga drejtorët. Pra më shumë mbrohet imazhi sesa jeta e nxënësve. Siguria kthehet në favor personal, jo detyrim institucional.
Urdhri i Ministrisë për kryerjen e kontrolleve fizike dhe të ambienteve është një letër pa vlerë: në shumicën e shkollave nuk zbatohet, dhe qeveria bën sikur nuk e di.
Instrumentet matëse për sigurinë nuk përdoren, në disa shkolla asnjëherë. Pra, qeveria nuk ka asnjë mekanizëm real për të matur rrezikun, për të parandaluar incidentet, apo për të mbrojtur fëmijët.
Në disa shkolla, në një periudhë 3-vjeçare, ka vetëm një memo të brendshme mes oficerëve dhe drejtuesve. Pra, një sistem që pret të garantojë sigurinë e fëmijëve, nuk ka as komunikim minimal brendapërbrenda.
Këto nuk janë thjesht mangësi. Këto janë prova të një sistemi të braktisur, të një qeverie që nuk investon në sigurinë e fëmijëve, nuk kontrollon, nuk merr masa dhe nuk mban përgjegjësi.

Shëndetësia
Sistemi shëndetësor është në kolaps. Vetëm 2.9% e PBB-së dedikohet për shëndetësinë, më pak se çdo vend i rajonit. Si pasojë: ilaçet mungojnë; pacientët presin me orë e ditë për analiza, infermierët dhe mjekët largohen; familjet paguajnë më shumë nga xhepi se kudo tjetër në rajon. Sipas OBSH, shqiptarët i paguajnë nga xhepi 60% të shpenzimeve shëndetësore. E gjitha kjo në një vend ku kryeministri flet për shëndetësi falas dhe sistem funksional. Në këtë realitet, qeveria nuk prek as edhe një rresht nga kontratat e PPP-ve. Ato janë e vetmja linjë buxhetore e shenjtë për këtë qeveri.

Rapori i KLSH për Onkologjikun
Spitalet publike janë në kolaps. Pacientët përballen me mungesë medikamentesh, mungesë aparaturash, mungesë mjekësh, listë pritjeje të pafundme dhe shpesh detyrohen të paguajnë nga xhepi edhe për ndërhyrjet bazike që duhej të mbuloheshin nga shteti. Kjo rëndon më shumë se këdo tjetër të sëmurët me kancer.
Spitali Onkologjik është shembulli më i dhimbshëm i dështimit të qeverisë. Pacientët me sëmundje të rënda jetojnë me ankth, në pasiguri dhe në rrezik real nga vonesat dhe mungesat kronike të trajtimeve.
Çdo vit kemi rreth 7 mijë raste të reja me kancer.
Çdo ditë në Onkologjik hyjnë mbi 100 pacientë.
Dhe për ta, shteti ofron vetëm 19 poltrona për kimioterapi.
Po e përsëris! Vetëm 19 poltrona.
Ndërkohë në Kosovë ka 100.
Pacientët bëjnë kimioterapi në karrige, 6–8 orë, me dhimbje dhe në mënyrë çnjerëzore. 46% e barnave të kancerit nuk kanë hyrë asnjëherë në Shqipëri, 116 barna tumorale, jetike për pacientët me kancer, nuk janë importuar asnjëherë në periudhën 2021–2025. Mungon Avastina, një ilaç jetik për këta të sëmurë!
Situata me furnizimin me ilaçe është skandaloze. Pacientët trajtohen me barna të skaduara. Ka kontrabandë, jo transparencë, ka paaftësi, jo protokolle, kemi krim shtetëror, jo kujdes shëndetësor.
Pajisjet nuk funksionojnë. Brakiterapia është jashtë funksionit prej 4 muajsh, nuk ka Pet-Scan në sistemin publik, ka vetëm dy akseleratorë, të cilët për shkak të mbingarkesës prishen, ndërsa pacientët presin javë të tëra për rezonancë dhe skaner.
Shërbime që do të duhej të ishin falas, të sëmurët i paguajnë shtrenjtë, ka abuzime dhe shkelje që dëmtojnë drejtpërdrejt trajtimin e pacientëve me kancer.

Qytetarët sot pyesin po ku shkojnë paratë e tyre?
Kryefjala e këtij buxheti nuk është shëndetësia. Nuk është arsimi. As pensionet. As mirëqenia e qytetarëve. Kryefjala janë PPP-të. Tuneli i Llogarasë, 75 milionë euro, ku mungojnë 2 ura që ishin në projektin fillestar por që janë zhdukur, ku zv. kryeministrja e marrë e pandehur as nuk jep dorëheqjen, as nuk shkarkohet, pasi padyshim në krye qëndron Edi Rama, ndaj dhe nuk ndodh asgjë dhe zv.kryeministrja merret në mbrojtje. Ndërkohë presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mbahet në izolim ekstrem pas një urdhri politik të Edi Ramës, që nuk ka asnjë funksion politik, që hetimet kanë mbaruar dhe s’ka asnjë fakt penal për të, por sërish mbahet izolimi ekstrem. Tani pyetje për drejtësinë me 100 standarde. Kush prish prova sot që flasim? Belinda Balluku në detyrë si zv.kryministre apo Ilir Meta pa asnjë funksion publik? Kush intimidon dëshmi dhe ka gjithë pushtetin për të ndikuar në prova: Balluku e gjithëpushtetshme apo Ilir Meta pa asnjë funksion?
Ky është rasti i pastër i përdorimit drejtësisë për qëllime politike ndaj kundërshtarëve politikë.
Tjetër ku shkojnë lekët e qytetarëve? Në xhepat e klientëve të saj! 12 miliardë lekë janë parashikuar në buxhetin e ardhshëm vetëm për PPP-të.
Te kopshti i Edenit në Kryeministri – 5 milionë euro, kur çerdhet dhe kopshtet publike nuk kanë ujë të pijshëm dhe staf. Inceneratorët që vazhdojnë paguhen nga ky buxhet.

Të nderuar kolegë,
Ky nuk është një buxhet për qytetarët. Ky është një buxhet për oligarkët, për klientët, për aferat korruptive.
Është një buxhet pa vizion, pa drejtësi sociale, pa prioritet për qytetarët. Shqipëria ka nevojë për politika që ulin çmimet, rrisin pensionet, garantojnë ushqim të sigurt, shkolla të sigurta dhe spitale funksionale. Ndaj dhe ne do bëjmë amendamentet tona që taksat e qytetarëve të shkojnë në shërbime për ta.

Faleminderit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb