TIRANË

Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca ka treguar sot në News24, në rubrikën “Opinion” se çfarë është arritur gjatë samitit të fundit të “Open Balkan” në Tiranë në bujqësi.

Ajo theksoi se bujqësia është një nga fushat më të rëndësishme të tre vendeve dhe përbën gjysmën e volumit tregtar të tyre.

“Forumi Open Balkan pati një forum të posaçëm për bujqësinë ndërkohë që samiti po zhvillohej. Bujqësia përbën një nga fushat më të rëndësishme të tre vendeve.

Ishte kënaqësi për mua që mund t’i jepej kjo vëmendje e duhur bujqësisë posaçërisht. Kishim të ftuar jo vetëm ministrat e dy vendeve, por edhe rektorët e universiteteve bujqësore, pikërisht për të dhënë orientimet e nevojshme për dijet në bujqësi. Ishin dhe dhomat e tregtisë, dhomat ekonomike, të cilët në fakt e kanë motivuar këtë proces sepse janë ata të parët që shohin arsyetimin se pse Ballkani i Hapur është një e mirë. Bujqësia sepse gjysma e volumit tregtar të këtyre tre vendeve ndodh në sektorin e bujqësisë. Ne duam ta zgjerojmë këtë volum tregtar. Vetëm të mira ka sektori bujqësor nga rritja e volumit tregtar. Ne nënshkruam një marrëveshje”, deklaroi Krifca.

Ministrja theksoi se arritja më e madhe e kësaj marrëveshje është hapja për herë të parë eksporti i blegtorisë, tregtimi i kafshëve të gjalla.

“Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë eksportuese të produkteve blegtorale në Europë. Është një arritje dhe në këtë mënyrë do të veprojmë dhe për negociatat e tjera që do të vijnë. Ishte një ushtrim për administratën. Kemi përgatitur 38 dokumente teknikë për t’i dhënë siguri të gjithë procesit. Të njëjtën punë do të bëjmë dhe me vendet anëtare të BE”, tha ajo.

Ministrja tregoi më tej se në nëntor kemi nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me qeverinë e Kosovës dhe unë personalisht e kam kërkuar dy herë që të eliminojmë tarifat tregtare mes dy vendeve.

Krifca foli më tej për edhe për turizmin rural.
“Ne aktualisht kemi ndërtuar një gamë të gjerë infrastrukture për turizmin rural. Ne pamë që vizitat kryesore gjatë dimrit janë kryer në bujtinat që janë ndërtuar. Kemi ndërmend të vazhdojmë ta kryejmë këtë punë. Thjesht për shkak të injektimit të financimit rreth e rrotull janë ngritur shumë ferma, sepse tregu është ai. Kanë shkuar njerëzit në fshat dhe ajo krijon një valë ekonomike. Ne do të injektojmë financim për turizmin rural. Pjesë e kësaj thirrje do të jenë edhe për energjinë e rinovueshme. Këto janë mbështetur nga 60% grant nga ky program. Unë dua të ftoj subjekte që të përfitojnë nga këto thirrje dhe të ulin tarifat e energjisë”, tha ministrja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb