Për herë të parë në Shqipëri vihet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit opera “Attila” e Giuseppe Verdit. Një prej të parave vepra të kompozitorit italian e një prej më të vështirave për tu vënë në skenë, Abigeila Voshtina arsyetoi përzgjedhjen.

“Është një histori e vërtetë, është një histori që flet për realitetin dhe që tregon se memoria humane është ajo që ndryshon njeriun dhe e vlerëson atë. Është bërë një punë e jashtëzakonshme nga solistët. Është një nga operat më të panjohura të Verdit, ajo që quhet një Verdi i ri, por që për të ri, ska vërtet asgjë. Sepse kërkon mjeshtërinë e Nabukos, dhe po aq e vështirë dhe po aq e rëndë është edhe kjo opera, jo vetëm për bassin që është Attila, por për Odabellën, për Foreston, për Ezion, ai që më në fund arriti të kryqëzojë një nga barbarët më të mëdhenj të historisë”, tha Abigeila Voshtina.

Vepra ka në qendër tragjedinë e shekullit të V të mbretit të Hunëve, Attilës, dhe rezistencën e popullit italian, me në krye guximtaren Odabella, ndjekur nga gjenerali Ezio dhe i dashuri i saj Foresto. Heroizmi i vajzës italiane, Odabellës, e cila me trimërinë e saj arrin të fusë në kurth pushtuesin barbar, duke u hakmarrë kështu ndaj vdekjes së të atit, bën që historia të shkruhet në favor të drejtësisë. Regjisorja Ada Gurra tregoi konceptin

“Është një vepër e cila vjen ndryshe, vjen e zhveshur nga historiku i saj, por jo për të ulur vlerat e saj, por përkundrazi, për të treguar se lufta që njerëzit bëjnë për pushtet, është një luftë të cilën ne vazhdojmë e shohim edhe sot. Prandaj ky Attila vjen ndoshta në momentin e duhur”, tha Ada Gurra.

Artistë shqiptarë e të huaj janë pjesë e kastit, “Attila” do të vijë përgjatë 4 netëve, në datat 15, 16, 18, dhe 19 nëntor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb