Nga e premtja deri të hënën në mbrëmje, Teatri i Operas dhe Baletit sjell në skenë “Carmen” me dy kaste. Drama klasike bashkon 200 artistë me muzikën e papërsëritshme të Bizet dhe një koncept të ri regjisorial

Një përjetim i paharrueshëm, nën muzikën e pa përsëritshme të Georges Bizet. Një dramë klasike me një koncept modern regjisorial nga Giandomenico Vaccari.

Carmen e mbushur me pasion, histori dhe dramë, nën tingujt e mrekullueshëm dhe aq të njohur nga të gjithë, të kompozitorit Georges Bizet, për 4 net me radhë prek operan.

200 artistë ngjiten në skenë për të sjellë për publikun një nga shfaqjet më të bukura të historisë së artit botëror. Nën regjinë e Giandomenico Vaccari, “Carmen” ka një koncept të ri, krejtësisht novator si në skenografi, ashtu edhe në rolet e personazheve.
Drama e jetës së një gruaje, e cila sfidoi rregullat shoqërore dhe shpërfilli traditat e asaj kohe, ka hapur Kalendarin Artistik të muajit dhjetor, me ariet magjepsëse të kompozitorit Bizet, duke kapërcyer kufijtë e teatrit tradicional dhe prekur zemrat e artdashësve.

Historia fillon në qytetin e Seviljes, ku një ushtar fisnik, Don José, takon Carmen-in, një vajzë pasionante dhe të lirë, e cila provokon ndjenjat e Don José-s, duke pasuar një zinxhir ngjarjesh që trondisin rregullat shoqërore dhe çon në fatin e keq të të dy protagonisteve.
Orkestra Simfonike, Solistët dhe Kori i TKOB-së janë pjesë e trupës që sjellin një “Carmen” dinjitoze dhe pasionante, nën dirigjimin e maestros, Dian Tchobanov.

Me dy kaste mjeshtërore artistësh si Vikena Kamenica, Ivana Hoxha, Carlos Cardoso, Denis Skura, Armando Likaj, Artur Vera, Renisa Laçka, Nina Muho e shumë profesionistë të tjerë në role të ndryshme, në katër net “Carmen” rikthen në skenë magjinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: