Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një operacion antidrogë në fshatin Lumalas, ku sipas informacioneve paraprake është arrestuar një person i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Burime bëjnë me dije se gjatë kontrollit në ambientet e një lokali, policia ka sekuestruar më shumë se 12 doza lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Dyshohet se i arrestuari e përdorte lokalin si bazë për shitjen e drogës, ndërsa gjatë kontrollit fizik iu gjet edhe një sasi tjetër e lëndës narkotike.

Gjatë zhvillimit të operacionit është regjistruar edhe një aksident në afërsi të të njëjtit fshat, ku dy efektivë policie, të angazhuar në aksion, janë përfshirë me mjetin e tyre. Si pasojë, njëri prej tyre ka mbetur i dëmtuar në këmbë dhe është nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e juglindjes vijon hetimet dhe veprimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së drogës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb