Një aksion i gjerë dhe i mirëorganizuar kontrolli është zhvilluar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në burgjet shqiptare dhe goditjen e çdo aktiviteti të paligjshëm brenda tyre.
Operacioni është drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe Drejtori i Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta, duke angazhuar një numër të madh forcash operacionale dhe speciale të Drejtorisë së Policisë së Burgjeve.
Në këtë aksion kanë marrë pjesë edhe forcat e sigurisë nga një sërë institucionesh penitenciare në vend, përfshirë Fierin, Vlorën, Korçën, Beratin, Rrogozhinën, Elbasanin, “Jordan Misja”, Shkodrën, Burrelin, Fushë-Krujën dhe Durrësin, duke e kthyer kontrollin në një nga operacionet më të gjera të kohëve të fundit në sistemin e burgjeve.


Kontrolli është shtrirë në çdo ambient të institucionit, nga sektorët e banimit dhe godinat e takimeve, deri te ambientet e punës, biblioteka, palestra, zonat e observimit, regjimi i posaçëm “41-bis”, si dhe hapësirat e jashtme dhe brezi i sigurisë.
Gjatë operacionit janë përdorur mjete të teknologjisë së avancuar, përfshirë detektorë specialë, skanerë, dronë monitorimi dhe qen të trajnuar anti-drogë, çka ka rritur ndjeshëm efikasitetin e kontrollit dhe identifikimin e shkeljeve.
Bilanci i aksionit ka nxjerrë në pah një sërë shkeljesh të rregullave të sigurisë. Janë konstatuar dhe sekuestruar sende të ndaluara, mes tyre mjete prerëse të improvizuara, kabuj dhe materiale të tjera të palejuara, si dhe ndërhyrje të paligjshme në sistemin elektrik përmes qarqeve të modifikuara. Në një rast është evidentuar edhe një sasi e dyshuar lënde narkotike, për të cilën janë ndjekur menjëherë procedurat ligjore.
Në kuadër të këtij operacioni, autoritetet kanë ndërmarrë edhe masa të menjëhershme për rritjen e sigurisë, duke realizuar transferimin e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, të cilët konsideroheshin me rrezikshmëri të lartë për rendin dhe sigurinë brenda institucionit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se këto kontrolle nuk do të jenë sporadike, por do të kthehen në një standard të përditshëm pune, me qëllim garantimin e rendit, disiplinës dhe sigurisë në të gjitha institucionet penitenciare të vendit.
Ky aksion vjen në një kohë kur autoritetet po intensifikojnë masat për të goditur çdo formë abuzimi apo aktiviteti të paligjshëm në burgje, duke synuar një sistem më të sigurt dhe më transparent në funksion të ligjit dhe rendit publik.
