Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (SHKBB) ka finalizuar një operacion të rëndësishëm kundër veprimtarisë kriminale në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Elbasan, pas një hetimi të thelluar disa-mujor të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Hetimi, i kryer përmes metodave speciale të hetimit, ka zbuluar një mekanizëm të mirëorganizuar bashkëpunimi për futjen e lëndëve narkotike brenda institucionit penitenciar, me qëllim përfitimin financiar.

Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të datës 22 janar 2026, bazuar në vendimin nr. 784, datë 19 dhjetor 2025, autoritetet kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tre personave nën hetim. Të arrestuarit janë:

Ndricim Kroi, punonjës policie në IEVP Elbasan

Esmeralda Komici, familjare e një të paraburgosuri

Gerald Stamolla, i paraburgosur në IEVP Elbasan

Sipas të dhënave hetimore, personat e përfshirë dyshohet se kanë bashkëpunuar për të futur lëndë narkotike në ambientet e burgut, duke shfrytëzuar pozicionin dhe lidhjet e tyre, në shkelje të rëndë të ligjit dhe rregullave të sigurisë penitenciare.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: