Nën masa të rrepta sigurie, pasditen e kësaj fundjave do të nisë operacioni për transferimin e 90 të dënuarve me rrezikshmëri të lartë nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fushë-Krujë drejt IEVP Peqin. Lëvizja e tyre do të realizohet me përfshirjen e strukturave të specializuara të rendit dhe shërbimeve penitenciare, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit.

Burime jozyrtare bëjnë me dije se ky transferim do të kryhet në kuadër të rishpërndarjes së të dënuarve dhe forcimit të masave të sigurisë në institucionet penitenciare. Megjithatë, transferimi i menjëhershëm pritet të sjellë sfida në drejtim të akomodimit dhe procesit të përshtatjes së të dënuarve në institucionin pritës, duke krijuar një ngarkesë të shtuar për strukturat e IEVP Peqin.

Operacioni është planifikuar në çdo detaj, me eskortë të posaçme dhe zbatim të protokolleve të përforcuara të sigurisë. Autoritetet përgjegjëse po marrin masa për menaxhimin e situatës dhe garantimin e standardeve ligjore të trajtimit të të dënuarve, me qëllim që të mos cenohet rendi dhe siguria në institucion. Mësohet se transferimi ishte planifikuar të kryhej gjatë orëve të natës që lamë pas, por për arsye organizative është shtyrë për pasditen e sotme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: