Një tjetër operacion kundër dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit është finalizuar nga Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT pranë Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migrimit Korçë. Në kuadër të aksionit të koduar “Borders 2”, strukturat e policisë kanë arrestuar në flagrancë një 32-vjeçar nga Peqini, si dhe kanë shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij 41-vjeçar nga Erseka.

Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari K. P. u kap nga shërbimet e policisë në fshatin Drenovë të Korçës teksa transportonte me automjet drejt Tiranës 7 shtetas të huaj, 2 prej të cilëve nga Bangladeshi dhe 5 nga Somalia. Emigrantët kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Kapshticës dhe kishin si destinacion përfundimtar kalimin tranzit drejt Malit të Zi kundrejt fitimi

Gjatë ndërhyrjes së policisë, shtetasi i shpallur në kërkim E. M., 41 vjeç, po lëvizte me një automjet tjetër për të kontrolluar rrugën dhe për të sinjalizuar praninë e patrullave. Në momentin kur forcat e rendit i kanë bërë shenjë ndalimi, ai nuk i është bindur urdhrit por ka shtuar shpejtësinë duke mundur të largohet përkohësisht.

Pas disa orë kërkimesh intensive në terren, policia bëri të mundur lokalizimin dhe sekuestrimin e automjetit të tij të braktisur. Në cilësinë e provës materiale, strukturat e hetimit sekuestruan dy automjete të përdorura në këtë veprimtari kriminale, një aparat celular si dhe një sasi parash në lekë të përfituara nga transporti i paligjshëm.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, ndërsa vijon puna për kapjen e 41-vjeçarit dhe zbardhjen e plotë të këtij rrjeti trafiku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb