Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Game Over 2”, në kuadër të goditjes së veprimtarive të paligjshme të lojërave të fatit. Gjatë operacionit, është zbuluar një lokal në fshatin Ndroq, ku organizoheshin baste sportive të kundërligjshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve Kibernetike, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative, ushtruan kontrolle në disa ambiente të dyshuara. Si rezultat, u godit një rast i organizimit të lojërave të fatit të paligjshme.
Në flagrancë u arrestuan dy shtetas, E. Ç., 34 vjeç dhe I. T., 31 vjeç, të dy banues në Ndroq. Ata u kapën duke vendosur baste sportive përmes celularëve, brenda ambientit të lokalit.
Gjatë kontrollit në lokal, policia sekuestroi 5 celularë që përdoreshin për lojëra fati, një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, si dhe prova të tjera materiale. Po ashtu, gjatë kontrollit fizik ndaj 34-vjeçarit, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
