Një sipërmarrës italian 54-vjeçar nga Camposampiero humbi jetën në muajin dhjetor në QSUT në Tiranë, pasi kishte kryer një ndërhyrjeje për ngushtimin e stomakut në “Trita Hospital”.

Sipas mediave italiane, fillimisht 54-vjeçari Massimo Ferro kishte kontaktuar një klinikë në Milano, ku i propozuan një udhëtim për në Tiranë, për të kryer ndërhyrjen me një të tretën e çmimit që do të duhej të paguante në Itali.

Pas ndërhyrjes në klinikën private “Trita Hospital” në Tiranë, 54-vjeçari shfaqi probleme shëndetësore dhe u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare, ku ndërroi jetë më 22 dhjetor.

Për të hedhur dritë mbi ngjarjen, prokurori i Padovës, Andrea Girlando, mori si të dyshuar kirurgun Andrea Formiga, i cili punon për “Trita Hospital”, dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia. Hetimet zbuluan se në muajin dhjetor 54-vjeçari Massimo Ferro kishte kontaktuar me kirurgun përmes WhatsApp, ku ishin dhënë informacionet, kostot dhe udhëzimet logjistike.

Çmimi i operacionit në Tiranë ishte 4 400 euro, shumë më i ulët krahasuar me rreth 15 mijë eurot që kërkoheshin në Itali.

Sipas denoncimit të familjarëve të viktimës, asnjë nga procedurat e parashikuara nga udhëzimet italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit nuk ishte respektuar: nuk kishte trajnim dietik paraprak, as vlerësim multidisiplinar, as përgatitje specifike para operacionit. I vetmi udhëzim ishte që natën para operacionit të mos konsumonte asgjë.

Pavarësisht se 54-vjeçari ishte me diabet tip 2 dhe peshonte 108 kilogramë, testet para-operatore u kryen vetëm një ditë para ndërhyrjes në Tiranë.

Kirurgu italian Andrea Formiga, i cili operoi sipërmarrësin 54-vjeçar, bashkëpunon me Qendrën Shëndetësore “Trita Hospital” në Shqipëri prej disa vitesh. Në një video të publikuar në faqen zyrtare të Trita Hospital, shkruhet se “Pacientët e quajnë doktori i mrekullive”.

Përveç Shqipërisë, kirurgu Formiga është aktiv edhe në Liguria dhe në pjesë të tjera të Italisë. Ai vinte në Tiranë një ose dy herë në muaj, për të kryer ndërhyrje në qendrën shëndetësore “Trita Hospital”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb