Eksperti i sigurisë Dritan Goxhaj ka folur mbi operacionin amerikan në Venezuelë, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si, sipas tij, u realizua kapja e presidentit Nicolás Maduro. I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, Goxhaj theksoi se çelësi i operacionit lidhet drejtpërdrejt me strukturat e sigurisë së brendshme të Venezuelës.

Sipas Goxhajt, Venezuela ka dy shërbime sekrete, një civil dhe një ushtarak sekret, të dyja nën varësinë e zv/presidentit. “Nëse blen këto dy struktura, pjesa tjetër është teatër,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se operacioni u bë i mundur përmes bashkëpunimit të elementëve të brendshëm dhe jo vetëm nga forca të jashtme.

Ai foli edhe për rolin e Kubës në sigurinë e Maduros, duke përmendur deklaratën e qeverisë kubane, sipas së cilës 32 kubanezë që ruanin presidentin venezuelian u vranë gjatë ngjarjeve. Goxhaj theksoi se, sipas kubanezëve, këta persona nuk u vranë nga amerikanët, por nga vetë venezuelasit.

Eksperti i sigurisë e përshkroi skenarin si një veprim të koordinuar nga brenda. “Ata që u paguan hoqën barrierën dhe më pas morën këtë ‘pakon’ dhe i thanë: hajdeni merreni,” tha Goxhaj, duke e cilësuar këtë si momentin vendimtar të operacionit.

Sipas tij, nga pikëpamja ushtarake, operacioni ishte i përsosur. “Kjo është detyra: të penetrosh në zemër të armikut dhe të gjesh çdo mënyrë për të arritur qëllimin,” u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb