Zbardhen emrat e 6 personave të arrestuar në kuadër të operacionit të SPAK undër mashtrimit me Call Center-a, i zhvilluar përgjatë 2 ditëve në disa objekte shumëkatëshe, në Tiranë.
Të arrestuar janë:
Remir Gjoligaj,
Endri Gjata,
David Qerimi,
Elis Merkaj,
Rentjan Peposhi,
Odeas Kuqi
Ndërsa për 2 të tjerë, me inicialet K.K. dhe H.XH., janë ekzekutuar urdhërndalimi ndërsa GJKKO do të vlerësojë masën e arrestit si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në kërkim janë tre vëllezërit Prekaj: Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj të cilët dyshohet se janë organizatorët e kësaj skeme.
SPAK jep detaje për hetimet
SPAK bën të ditur se hetimi nisi më 9 janar 2026, pas denoncimeve dhe materialeve të dorëzuara nga gazetarët e emisionit investigativ italian “Le Iene”. Sipas SPAK, një Call Center që operonte në ndërtesën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova” në Tiranë, dyshohet se mashtronte qytetarë të huaj, italianë dhe europianë, duke i bindur të investonin në platforma të rreme të kriptomonedhave.
Investigimi mori shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë të mashtruar nga Qendra e Thirrjeve. Gazetarët italianë mundën të infiltrojnë një shtetas italianë, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat rezulton se në këtë veprimtari dyshohet të jenë përfshirë shtetas italianë, rezidentë në Itali dhe të tjerë që jetojnë në Shqipëri, ndërsa transaksionet kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundraligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese.
Qendra e Thirrjeve, ndodhej në katin e 9-të dhe të 13-të të “Atti Tower”, thekson SPAK.
Mbrëmjen e datës 15 Janar 2026, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme, vijon njoftimi i Prokurorisë së Posaçme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve, pra ditën kur SPAK ndërmori aksionin.
SPAK thotë se identifikoi personat dhe automjetet e përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga Call Center-i. Pas gjurmimit të tyre, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambient tjetër të marrë me qira në “Downtown One”, në Bulevardin Bajram Curri.
Pas kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve, hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një Qendër tjetër Thirrjesh, në ndërtim e sipër. Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancës, po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, të cilat ishin duke i asgjësuar.
Gjithsej janë kryer 28 kontrolle.
