GJIROKASTËR

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar tre persona të akuzuar për pengmarrje, teksa ka proceduar dhe një 14-vjeçar. Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, një sasi dozash me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva dhe një mjet mprehës (thikë).

Gazetarja Brikena Metaj raporton për “Balkanweb” se pengu është mbajtur në shtëpinë e një prej të arrestuarve. Ende nuk dihen shkaqet e rrëmbimit. Asnjë prej të ndaluarve nuk ka deklaruar asgjë në lidhje me arsyet e ngjarjes.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasit J. Gj., 34 vjeç, banues në Gjirokastër, i kanë hequr lirinë nën kërcënimin e armës 4 shtetas, organizuan punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur finalizimin e operacionit “Kalaja”, ku si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit:
•M. D., 28 vjeç, E. T., 33 vjeç dhe D. K., 35 vjeçe, të tre banues në Gjirokastër, si dhe u procedua në gjendje të lirë një 14 vjeçar.

Shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri – tjetrin nën kërcënimin e armës i kanë hequr lirinë shtetasit J. Gj, duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tij për disa orë.

Falë reagimit të menjëherëshëm të Policisië dhe veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi dhe vënia në pranga e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit E. T., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatike, 35 doza me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva, një mjet mprehës(thikë).

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb