Dy persona janë arrestuar në afërsi të kufirit me Greqinë, pasi u kapën duke tentuar të transportonin kundrejt pagesës gjashtë emigrantë të huaj, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin për të vijuar më pas drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Operacioni i koduar “Kufijtë” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në kuadër të kontrolleve dhe hetimeve për parandalimin e veprimtarisë kriminale që lidhet me ndihmën ndaj shtetasve të huaj për kalimin e paligjshëm të kufirit.

Në pranga ranë shtetasit Aztrid Doda dhe Fatos Çifliku, të dy banues në Tiranë. Ata u kapën në vendin e quajtur “Pagane”, pranë vijës kufitare me Greqinë, ndërsa ishin me dy automjete me të cilat, sipas Policisë, do të transportonin kundrejt pagesës gjashtë emigrantët.

Gjashtë shtetasit e huaj, nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, u proceduan penalisht, pasi rezultoi se kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar, duke kaluar kufirin tokësor me Greqinë. Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi edhe dy automjetet që do të përdoreshin për transportimin e emigrantëve. Hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe të veprimtarisë së personave të përfshirë vijojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: