Pesë të rinj janë vënë në pranga nga policia e Tiranës, pasi akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike. Në kuadër të operacionit të koduar “Nata e Ftohtë”, nisur edhe nga temperaturat e ulëta të ditëve të fundit, Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr.1 kanë bërë të mundur ndalimin e tyre.

Të arrestuar janë: Klajdi Llapi, 20 vjeç; Dorian Rapushaj, 21 vjeç; Marin Tona, 20 vjeç; Devi Hajro, 19 vjeç; Nimert Hoxhaj, 19 vjeç; të pestë banues në Tiranë.

Arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohej se shpërndanin bimë narkotike kryesisht në godinat e “Qytetit Studenti” në rrugën “Budi”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë prej tyre me qera janë gjetur rreth 27 gramë bimë e dyshuar narkotike e llojit Canabis Sattiva e ndarë në procione gati për shitje.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

• 27 gramë bimë e dyshuar narkotike e llojit Canabis Sattiva.

• Dy telefona të markës Iphone 4.

• Disa qese farmaceutike të tejdukshme.

• Një automjet i tipit “Opel” në pronësi të shtetasit Marin Tona.

Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve e kryer në bashkëpunim”.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb