DURRËS- Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Durrësit, pas kontrolleve kundër veprimtarive kriminale.

Në banesat dhe automjetet e këtyre shtetasve janë gjetur dhe sekuestruar 2armë zjarri (1 kallashnikov dhe 1 pistoletë), municion luftarak, 4 armë të ftohta, lëndë narkotike kanabis, 2 automjete dhe 5 celularë.

NJOFTIMI I PLOTË;

Plan operacional i koduar “Siguria”, për rritjen e parametrave të sigurisë në qark.

Në zbatim të planit të masave, gjatë 12 orëve të fundit janë evidentuar dhe goditur dy raste të lëvizjes me armë zjarri dhe lëndë narkotike, si dhe një rast i mbajtjes së armëve të ftohta.

Janë sekuestruar 2 armë zjarri (1 kallashnikov dhe 1 pistoletë), municion luftarak, 4 armë të ftohta, lëndë narkotike kanabis, 2 automjete dhe 5 celularë.

Janë vënë në pranga 5 shtetas që i mbanin këto sende në automjete/banesa.

Në vijim të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës dhe Patrullat e Përgjithshme të komisariateve në varësi të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara për disa shtetas që posedonin armë zjarri, armë të ftohta dhe lëndë narkotike, në zbatim të detyrave të planit operacional “Siguria”, zhvilluan një sërë kontrollesh të befasishme.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në Sukth automjetin me të cilin qarkullonin 3 shtetas. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, 3 karikatorë dhe 17 fishekë, ndërsa drejtuesit të automjetit, shtetasit S. M., gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Në kuadër të hetimeve për këtë rast, u krye kontroll në banesën e shtetasit J. H., ku u gjetën 3 armë të ftohta (2 mjete prerëse dhe 1 dorezë metalike).

Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi S. M., 29 vjeç; 2 pasagjerët, shtetasit F. S., 25 vjeç dhe B. B., 25 vjeç, të dy banues në Sukth, si dhe shtetasi J. H., 31 vjeç, banues në Kuçovë.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë penale të këtyre shtetasve.

Po gjatë kontrolleve të befasishme, në lagjen nr. 14, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin Z. K., të cilit iu gjet një armë zjarri pistoletë me krehër me 6 fishekë.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi Z. K., 20 vjeç, banues në Durrës, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. B., 23 vjeç, banues në Shkozet, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për këtë rast, por nuk ka kallëzuar.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Zbatimi i detyrave të përcaktuara në planin operacional të koduar “Siguria” vijon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: