Policia e Shtetit ka intensifikuar zbatimin e planit të posaçëm të masave për sezonin turistik veror 2025, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike në zonat turistike dhe urbane të vendit.

Gjatë operacionit janë liruar 9 hapësira publike – 8 në Vlorë dhe 1 në Shkodër – që përdorej ilegalisht për parkim me pagesë. Për këto raste janë ndjekur penalisht 14 persona.

Në qytete të mëdha si Tirana, Durrësi dhe Vlora, janë larguar me karrotrec 98 automjete dhe 34 motomjete të parkuara në kundërshtim me ligjin, në trotuare dhe vija të bardha.

Për ndotjen akustike, 15 persona janë proceduar penalisht për tejkalim të kufijve të lejuar të zhurmës, ndërsa janë bllokuar 72 automjete dhe motomjete që gjeneronin zhurmë të lartë.

Janë konstatuar gjithashtu 11 raste të ndotjes së mjedisit tokësor dhe ujor, që kanë çuar në arrestimin e 2 personave dhe procedimin e 9 të tjerëve në qytetet Vlorë, Tiranë, Lushnjë dhe Shkodër.

Policia apelon ndaj pronarëve dhe administratorëve të lokaleve në zonat bregdetare që të respektojnë ligjin, të mos pushtojnë hapësirat publike dhe të mos tejkalojnë kufijtë e zhurmës. Po ashtu, drejtuesit e automjeteve paralajmërohen të mos parkojnë në mënyrë të paligjshme, pasi automjetet në shkelje do të konfiskohen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb