DURRES- Ashtu siç edhe ishte njoftuar, opozita e bashkuar është mbledhur sot në qytetin e Durrësit, duke bojkotuar sërish seancën e Kuvendit. Nga qyteti bregdetar, kryedemokrati Lulzim Basha ka folur për aksionin opozitar, si dhe vettingun në politikë.
Basha i ka bërë thirrje kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që të publikojë online në faqen zyrtare të Kuventit, propozimin e PD për vettingun në politikë.
Nga ana tjetër, mazhoranca pritet të rrëzojë sot në Parlament ligjin për tatimin mbi të ardhurat, ligj i kthyer nga Presidenti Meta, duke e arsyetuar me uljen e barrës fiskale për lojërat e fatit, duke kujtuar se në këtë mënyrë do të stimulohej më shumë kjo industri.
Basha tha se me formimin e qeverisë së re, ligji për të “lojërat e fatit” do të amendohet. Ai shtoi se do të zhbëhen edhe koncesione të tjera korruptive.
“Paratë e krimit iu duhen për PPP-të, për koncesionet, për vjedhjet me ligj. Dua t’ju them se ajo që ndodh sot në Parlament, është vjedhje barbare. Akti i parë në ditën e dytë të mazhorancës së re do të jetë amendimi i këtij ligji, që ata po kalojnë sot në Kuvend. Ne do ta zhbëjmë këtë, dhe do t’i kërkojmë secilit prej jush që të bashkohemi në aksionin opozitar, pasi vetëm kështu mund t’i japim fund kësaj situate. Po të ndalemi tek rasti Rama-“Fusha”. Në çdo vend të botës, kur kapet një hajdut shkon në burg, ndërsa Rama kapet duke tentuar të vjedhë me ligj pronën publike të shtetit shqiptar, dhe nuk jep dorëheqjen, por shkon e fshihet 5 ditë në SHBA, ku kërkon të ngrejë një tjetër kullë. Sot në Shqipëri qeveris krimi. Për ne ka rëndësi platforma kundër PPP-ve korruptive, dhe koncesioneve korruptive”, tha Basha.
Ne vijim Basha paralajmëroi kryeministrin Rama dhe ministrin e brendshëm se nga dita e nesërme do të publikojë fakte tronditëse që tregojnë se si është përdorur pushteti për pastrimin e parave
“PD do publikoje fakte tronditëse që tregojnë si Rama dhe Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të shtënë në dorë lojërat e fatit dhe për ti përdorur për pastrimin e parave të pista të kokainës dhe heroinës dhe aferave korruptive. Do të hetoheni për çdo gjë.”
Kjo është seanca e tretë e Kuvendit për këtë sesion që opozita e bojkoton në shenjë rezistence kundër krimit, që sipas saj ka mbështetjen e qeverisë.
Më herët opozita është mbledhur në qytetin e Shkodrës dhe të Elbasanit.
(BalkanWeb)
