Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka deklaruar para medias se sjellja e Taulant Ballës është e papranueshme dhe se PD do të depozitojë të premten kërkesën për përjashtimin e tij nga Kuvendi.
Pas largimit nga salla e Kuvendit, Tabaku së bashku me disa deputete të opozitës e cilësuan shkelje të qartë të standardeve minimale të sjelljes në parlament.
Tabaku kërkoi masa të menjëhershme, përfshirë dënim publik dhe kërkesën për ndjesë, duke e konsideruar këtë një vijë të kuqe që nuk mund të tolerohet nga askush dhe një moment për të mbrojtur integritetin e institucioneve dhe të grave në politikë.
Deklarata e plotë
Sot kryetari i grupit socialist, zoti Taulant Balla, ka ofenduar zonjën Albana Vokshi në mënyrë të përsëritur, jo vetëm një herë, dhe ka detyruar grupin parlamentar të Partisë Demokratike të largohet nga salla. Zoti Niko Peleshi, i cili ka marrë përsipër të drejtojë Kuvendin, duhet ta drejtojë atë bazuar mbi rregulloren. Nuk ka përjashtime për opozitën, ndërkohë që mazhoranca ka të drejtën të flasë me arrogancë, të ofendojë dhe të cënojë dinjitetin. Pastaj çuditemi se pse kjo sallë e parlamentit nuk prodhon më politikë. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes. Kjo është fytyra e qeverisjes me arrogancë, që shkel këdo me këmbë.
Kjo sjellje e papranueshme në sallën e Kuvendit sot duhej patjetër të kishte marrë përgjigjen e merituar nga kryetari i Kuvendit. Zoti Niko Peleshi, për herë të disatë, ka dështuar që të drejtojë seancën dhe t’i ofrojë siguri deputetëve të opozitës për të operuar aty, së pari, dhe së dyti, për të dënuar një sjellje që, në gjykimin tim, në kaq vite në parlament nuk ka ndodhur asnjëherë.
Opozita ndodhet në kushtet kur çdo hapësirë e parlamentit është ngushtuar. Ndodhet në kushtet kur nuk ka mundësi të flasë, nuk i jepet e drejta për pyetje, nuk i jepet e drejta për komisione hetimore, por ofendimi kaloi çdo vijë të kuqe. Për këtë arsye, unë së pari i bëj thirrje të gjithë zonjave socialiste ta dënojnë atë. Ta dënojnë sjelljen dhe ofendimin e një kolegeje në këtë parlament.
Së dyti, i bëj thirrje të gjithë organizatave të shoqërisë civile që ky është momenti për të folur. Ky është momenti për të dënuar ata që, nga kjo sallë e parlamentit, shfaqin sjellje të tilla të patolerueshme, të dënueshme, që askush nuk do të kishte dashur t’i dëgjonte as në shtëpitë e tyre, as për familjarët e tyre.
Në fund të ditës, secili prej nesh është edhe njeri. Është familjar. Zonja Vokshi ka dy vajza në shtëpi, të cilat e kanë ndjekur seancën. Si do të ndiheshim ne në qoftë se fëmijët tanë do ta dëgjonin? Si do të ndiheshim ne në qoftë se secili prej kolegëve do të përjetonte një dhunë të tillë, sepse kjo është dhunë verbale.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nesër do të dërgojë kërkesën për përjashtimin e zotit Balla. Ne jemi të sigurt që zoti Peleshi përsëri nuk do të jetë mbi palët. Jemi të sigurt që nuk do të merret asnjë masë, por pavarësisht kësaj, ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj, ashtu siç do t’i shkojmë deri në fund të gjithë betejave që opozita ka në këtë parlament.
Ne mund të mos biem dakord për shumë gjëra në këtë parlament, por këtu duhet të biem dakord që kur cënohet dinjiteti i një zonje, kjo është një vijë e kuqe që nuk duhet shkelur nga askush.
Faleminderit.
