Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka reaguar pasi opozita bashkoi votat me mazhorancën në Kuvend duke miratuar me konsensual rregullores e re të Parlamentit, ndërsa javën e kaluar kaluan gjithashtu bashkarisht rezolutën për integrimin. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji shprehet se në vend që opozita të përballej politikisht me pushtetin, po krijohet një “marrëveshje e heshtur mbijetese”, ku sipas tij Edi Rama mban pushtetin, ndërsa Sali Berisha garanton kontrollin mbi partinë.

“Kur opozita bashkon votat me qeverinë pikërisht në ditët më të vështira të saj, nuk kemi më përballje politike, por mbijetesë të ndërsjellë”, shprehet Salianji, duke shtuar se votimi i përbashkët me mazhorancën në një moment kur qeveria ndodhet nën presion për korrupsionin, zgjedhjet dhe integrimin europian, përbën “mëkat ndaj shoqërisë dhe tradhti ndaj demokratëve”.

“Çfarë merite ka Edi Rama që sa herë ndodhet në zgrip, merr oksigjen politik nga Sali Berisha?”, shtron pyetjen më tej, Salianji.

Reagimi
Në vend që opozita të ishte alternativa morale dhe politike përballë pushtetit, po shohim një marrëveshje të heshtur mbijetese: Rama mban pushtetin, Berisha mban partinë. Dhe në fund humbësi i vetëm mbeten qytetarët shqiptarë, të cilëve po u merret e drejta për të zgjedhur mes alternativash të vërteta.

Berisha voton për Ramën, Rama garanton pa garë Berishën nesër dhe qytetarëve u hiqet çdo mundësi reale zgjedhjeje.

Kur opozita bashkon votat me qeverinë pikërisht në ditët më të vështira të saj, nuk kemi më përballje politike, por mbijetesë të ndërsjellë.

Të bashkosh votat me Ramën dy javë rresht, në momentin kur qeveria është nën presion për korrupsionin, zgjedhjet, standardet demokratike dhe integrimin europian, është mëkat ndaj shoqërisë dhe tradhti ndaj demokratëve që kanë sakrifikuar për të rrëzuar këtë regjim.

Kur narrativa është se Shqipëria jeton në regjim dhe se integrimi europian duhet të bazohet mbi meritë, atëherë pyetja është e thjeshtë: Çfarë merite ka Edi Rama që sa herë ndodhet në zgrip, merr oksigjen politik nga Sali Berisha?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb