Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka mbajtur një fjalim të fortë në seancën plenare të Kuvendit, duke kritikuar mënyrën sesi po drejtohet debati parlamentar dhe duke akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për mosrespektim të rregullores dhe të të drejtave të opozitës.
Në fjalën e tij, Balliu theksoi se Parlamenti duhet të jetë një arenë për debat dhe përballje idesh, ku qytetarët të mund të dëgjojnë argumentet e përfaqësuesve të tyre, pavarësisht përkatësisë politike.
“Besoj se të gjithë këtu, pavarësisht ndasive politike, qytetarët na paguajnë rrogat për të dëgjuar debatin politik dhe idetë tona për programin që sjell qeveria. Kjo opozitë nuk ka asnjë armë përveç diskutimeve,” u shpreh Balliu.
Ai i kërkoi kryeparlamentarit Peleshi që të zbatojë rregulloren dhe kodin e sjelljes së deputetëve, duke i bërë thirrje të ndalë përjashtimet selektive ndaj opozitës dhe të garantojë mundësinë për fjalën e lirë, sidomos për deputetët e rinj.
“Duke iu referuar Kodit të Sjelljes së Deputetëve, neni 11 pika 2, kur deputeti i ri mban fjalën, në respekt të tij kryetari përshëndet fjalën. Tani, jo vetëm që nuk ndodh kjo, por as nuk i jepet mundësia deputetit të ri të mbajë fjalën. Ju na garantuat se pas pushimit të seancës do të flisnim, por fjala iu dha kryetarit të grupit të PS-së,” tha Balliu.
Ai reagoi gjithashtu ndaj komenteve të kryeministrit në seancë, duke dënuar përmendjen e familjarëve të deputetëve dhe duke e cilësuar këtë si një sjellje të papranueshme.
“Fyerja e familjarëve të deputetëve duhet të ndëshkohet me masë. Kryeministri përmendi familjarë të deputetëve këtu – edhe unë mund ta bëj, por nuk ma lejon edukata,” – theksoi ai.
Në përfundim të fjalës, Balliu i kërkoi Peleshit të ndjekë me përpikëri rregulloren e Kuvendit dhe të garantojë barazi për të gjithë deputetët, pa dallim politik.
