Në seancën e sotme plenare Partia Demokratike paraqiti raportin për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. PD kërkon shkarkimin e Peleshit me pretendimin se ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe rregulloren e këtij institucioni.
Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, relator i çështjes, paraqiti raportin e PD-së dhe arsyet se pse kërkojnë shkarkimin e Peleshit.
Kaso tha se Peleshi “nuk ka qenë garant i barazisë parlamentare, por zgjatim i vullnetit të kryeministrit”.
Kaso theksoi më tej se Peleshi ka legjitimuar një praktikë të rrezikshme përjashtimin e opozitës nga debati parlamentar.
“Rezulton se kryetari ka shkelur solemnitetin seancës ku prezantohet programi qeveritar. Ka lejuar që Kuvendi të drejtohet me urdhra verbal nga kryeministri. Ka përdhosur parlamentarizmin duke e kthyer Kuvendin në një teatër Kukullash.
“Ne nuk gjykojmë individin, por modelin që ai ka përfaqësuar dhe imponuar në parlament dhe ky model është i papranueshëm për një Republikë Parlamentare në mes të Evropës”, tha Kaso.
Në konkluzione të çështjes, Kaso tha se Peleshi ka kryer disa shkelje.
Sipas Kasos thirrja e mbledhjes së seancës së datës 16 shtator ishte në shkelje me Rregulloren dhe Kushtetutën. Gjithashtu sipas Kasos edhe thirrje e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ishte në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
“Mbledhjet e deputetëve që mbahen pa u thirrur sipas Rregullores, nuk sjellin asnjë pasojë”, tha Kaso.
Kaso shtoi se gjithashtu se heqja e të drejtës së deputetëve të opozitës për të diskutuar mbi përmbajnë e projektaktit, u bë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
“Në kundërshtim me nenin 49 të Rregullores së Kuvendit, i ka mohuar Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, dy herë të drejtën e fjalës për procedurë, e cila sipas Rregullores jepet menjëherë sapo kërkohet. Ndërkohë që këtë të drejtë ia ka njohur Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS dy herë rresht, duke shfaqur njëanshmëri të theksuar në drejtimin e seancës”, tha Kaso.
Duke u ndalur tek seanca e datës 18 shtator, Kaso vijoi më tej duke lexuar raportin se Peleshi në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit “nuk ka mundësuar paraqitjen e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave nga Kryeministri përpara procesit të votimit”.
“Në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, i ka mohuar të drejtën deputetëve për të bërë pyetje përpara procesit të votimit”, tha Kaso.
Sipas Kasos, Peleshi “nuk ka lejuar debat parlamentar, ku çdo deputet mund të diskutojë për 10 minuta, përpara procesit të votimit”.
Gjithashtu theksoi Kaso, kryetari i Kuvendit “ka mohuar të drejtën e kryetarëve të grupeve parlamentare për të diskutuar në përfundim të debatit parlamentar”.
“Ka mohuar të drejtën e deputetëve për të votuar vetëm pasi kanë ushtruar të drejtën për debat”, tha Kaso.
“Kushtetuta e Shqipërisë, ashtu si edhe Rregullorja e Kuvendit në frymë dhe në gërmë, kanë sanksionuar statusin dhe figurën e Kryetarit të Kuvendit, si person që qëndron mbi palët dhe shërben për zgjidhjen dhe ndërmjetësimin e problemeve që mund të krijohen gjatë aktivitetit parlamentar, megjithëse fillimisht propozohet dhe zgjidhet nga një palë politike e caktuar.
“Nga faktet, e drejta e aplikueshme dhe analiza ligjore është e qartë se Niko Peleshi nuk përmbush këtë status të veçantë, pasi me sjelljet, veprimet dhe mosveprimet e tij kanë treguar sjellje krejtësisht të njëanshme, që nxit tensionin dhe konfliktin ndërmjet palëve, duke pamundësuar zhvillimin normal të debatit parlamentar”, tha Kaso.
Sipas Kasos “me ndërgjegje ka lejuar një votim në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren, duke e bërë atë të pavlefshëm”.
Kaso theksoi se PD vlerëson se përmbushen plotësisht kushtet për shkarkimin e Niko Peleshit nga detyra e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.
Në përfundim të fjalës së tij, Kaso i kërkoi Kuvendit të votojë pro raportin për shkarkimin e Peleshit.
