Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve në pesë bashki të vendit, duke falënderuar kandidatët e pavarur për pjesëmarrjen e tyre në garë.

Berisha akuzoi qeverinë për manipulim të procesit, duke e cilësuar atë si një farsë elektorale.

“I falënderoj kandidatët e pavarur për pjesëmarrjen në zgjedhje. Kjo qeveri nuk bën dot zgjedhje. Farsa është farsë, manovra është manovër,” – deklaroi Berisha.

Sipas tij, procesi zgjedhor i zhvilluar nuk përmbushi standardet demokratike dhe tregoi, siç tha ai, se “pushteti aktual nuk ka as vullnet e as aftësi për të organizuar zgjedhje të ndershme”.


Pyetje: Sa i takon zgjedhjeve të djeshme, a është një humbje e PD-së dhe e kandidatëve të pavarur.
Sali Berisha:
Njëherë ti falënderoj përzemërsisht për guxim që treguan dhe konstatuan që Shqipëria ka vetëm farsë elektorale. Tani edhe botërisht po fillon të njihet, një autokraci elektorale, apo diktatura autoritare.
Kështu që ata bënë të pamundurën, ata qytetarë intelektualë, të profesioneve të ndryshme, biznesmenë të pavarur, por konstatuan se këtu nuk ka zgjedhje, por ka farsë.

Pyetje: Si i cilësoni këto zgjedhje farsë, ku nga të dhënat zyrtare të KQZ-së votuan 20% të qytetarëve, 80% nuk dolën fare të votonin? Mos ndoshta qytetarët nuk dolën duke refuzuar PS-në dhe ju refuzojnë dhe ju, pra opozitën?
Sali Berisha:
Pikërisht farsë, kjo tregon farsën dhe qytetarët e kuptuan.
Ne nuk ishim, ne bëmë thirrje për të mbështetur të pavarurit.

Pyetje: A i bojkotuat këto zgjedhje?
Sali Berisha:
Jo nuk i bojkotuam, po të ishte bojkot themi i bojkotuam, ju smë keni dëgjuar njëherë të bëjë thirrje qytetarëve të votoni apo jo. Ne mbështetëm dhe u regjistruam për shkak të këtyre, sepse nuk përfitonin komisionerët.
Ishin disa veprime të studiuara mirë që treguan se, kjo qeveri zgjedhje nuk bën. Se qytetarët e kanë kuptuar dhe nuk mund të dalin në zgjedhje.

Pyetje: Mund të quhet një manovër për të shmangur përgjegjësinë e humbjes?
Sali Berisha:
Jo absolutisht, por farsa është farsë.
Farsa duhet luftuar, në farsë nuk ka zgjedhje. Çfarë u kërkoj unë ju? Unë ju kërkoj ju të studioni kategoritë; çfarë është diktatura autoritare dhe çfarë është autokracia elektorale. Janë sinonime të njëra-tjetrës. Janë regjime në të cilat pushteti përqëndrohet në një dorë ose në një grup. Janë regjime të cilat nuk zhvillojnë zgjedhje, të cilat e pranojnë pluralizmin dhe e shtypin pluralizmin. Siç është kjo. Kjo është klasike.
Por në dallim nga autokracitë e tjera elektorale, ky është narkoshtet. Lexoni përkufizimin e Fondit Monetar për narkoshtetin. Narkoshtet sipas FMN-së janë shtete në të cilat kanë infiltruar përfaqësuesit e drogës në të gjitha institucionet.
Më thuaj mua një institucion ku nuk janë përfaqësuesit e drogës. Më thoni një institucion. Di ti emrin e një institucioni që nuk ka përfaqësues të klaneve dhe karteleve të drogës. Njihni ndonjë?
Ju thoni pikërisht një ‘x’, nuk është.

Pyetje: Ja po mendoj Avokati i Popullit…
Sali Berisha:
Avokati i Popullit nuk është institucion i shtetit, ai është një institucion krejt tjetër…

Pyetje: KLSH-ja …
Sali Berisha:
KLSH-ja është institucioni më i agresuar nga narko-qeveria. A i pe, a i patë si ikën si minjtë ministrat, kur ai raportonte dhe ata ja mbathën si me magji, ikën. Kështu që ai është armik i regjimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: