Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, analizoi gjendjen aktuale të opozitës dhe sfidat e saj për të rikthyer besimin e qytetarëve. Ai deklaroi se opozita është në një krizë të thellë identiteti dhe koherence, duke theksuar se ndryshimi është i domosdoshëm.
“Një opozitë që nuk rinovohet nuk fiton dot besimin e qytetarëve,” u shpreh Shehaj.
Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te qëndrimet e ndryshme përballë SPAK-ut, por te mënyra se si PD po funksionon në tërësi.
“Edhe po të ishin pro SPAK, mirë do ishte, por nuk është vetëm kjo. Opozita është një lëmsh i paparë.”
Shehaj kritikoi standardet e dyfishta brenda PD në raport me figurat e akuzuara ose nën hetim, duke përmendur si shembull kontradiktat në reagimet ndaj Belinda Ballukut dhe Sali Berishës.
“Ata thonë Balluku të ikë sepse është e pandehur. Po Berisha nuk është i pandehur? Pse nuk shkon Berisha çdo dy javë në SPAK? Apo SPAK është organizatë kriminale vetëm kur thërret Berishën, ndërsa me Ballukun është i mirë? Po marr thjesht një shembull”, u shpreh ai.
Ai theksoi se këto kontradikta e pengojnë opozitën të jetë një alternativë serioze për qytetarët.
“Kjo është e natyrshme: nëse nuk ndryshon opozita, do biesh në kontradiktë”, tha ai.
