Nga Almer Toska

U bënë vite që në skenën politike shqiptare dëgjohen të njëjtat fraza të opozitës: “Rama do ikësh”, “i ka ditët e numëruara”, “kilometri i fundit”. Të thëna nga Sali Berisha për Edi Ramën, e të ripërsëritura në çdo protestë. Por kur një parullë përsëritet për vite me radhë, ndërsa pushteti mbetet në këmbë, problemi nuk është më te slogani. Është te strategjia.

Protesta nuk është ritual. Nuk është thjesht një marshim nga Kryeministria te Parlamenti, disa fjalime, disa tymuese, një premtim për “protestën më të madhe” dhe pastaj kthim në shtëpi. Kjo mënyrë nuk rrëzon qeveri, por thjesht krijon një cikël lodhjeje.

Sot pakënaqësia për korrupsionin është reale dhe e prekshme. Arrestimet dhe akuzat ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë nga SPAK kanë krijuar një moment të pazakontë politik. Në çdo vend normal, një opozitë funksionale do kishte ushtruar presion të strukturuar, të përditshëm, parlamentar dhe qytetar. Por në Shqipëri në vend të bllokimit politik me një kauzë të qartë, kemi parë shpërqendrim dhe zhurmë pa objektiv.

Kur drejtësia godet qeverinë, ministra e kryebashkiakë, opozita nuk duhet të mjaftohet me fjalime. Ajo duhet të ofrojë alternativën. Të krijojë bindjen se është gati të qeverisë ndryshe. Përndryshe, çdo goditje ndaj qeverisë kthehet paradoksalisht në forcim të saj, sepse përballë qëndron një kundërshtar që nuk prodhon besim.

Protesta çdo dhjetë ditë, çdo muaj, me të njëjtin skenar dhe të njëjtën retorikë, ia heq peshën fjalës. Kur për vite me radhë thuhet “ditët e fundit”, publiku fillon të mos e dëgjojë më. Jo se nuk ka probleme, por sepse nuk sheh plan.

Opozita nuk rrëzon dot një qeveri vetëm me nerv. Duhet strategji. Duhet koherencë. Duhet lidhje mes fjalës dhe veprimit. Nëse thua “nuk hyjmë në zgjedhje” dhe më pas hyn, nëse thua “bllokojmë Parlamentin” dhe pastaj rikthehesh aty, mesazhi që jep është paqartësi, dhe paqartësia është armiku më i madh i besimit.

Pikërisht këtu lind dyshimi që artikulohet gjithnjë e më shpesh: A kemi të bëjmë me paaftësi strategjike, apo me interesa që e mbajnë këtë status quo? Kur reagimi është i dobët në momentet kur pushteti lëkundet, kur energjia shpërndahet pa rezultat dhe kur premtimet radikale zbuten në praktikë, qytetari fillon të pyesë nëse problemi është mungesë aftësie për të ndërtuar alternativë fituese, apo ekzistenca e llogarive të heshtura?

Sot qeveria duket e konsumuar nga aferat, por kjo nuk mjafton. Duhet alternativë e besueshme përballë saj. Në të kundërt, edhe dita më e vështirë e qeverisë shndërrohet në ditë mbijetese, sepse përballë ka një opozitë që nuk bind se është gati të marrë përgjegjësinë.

Qytetarët nuk kërkojnë vetëm revoltë. Kërkojnë drejtim. Nuk kërkojnë vetëm thirrje për rrëzim. Kërkojnë siguri se ajo që vjen pas është më e mirë. Nëse kjo siguri mungon, ata tërhiqen drejt indiferencës. Dhe indiferenca është aleati më i madh i pushtetit.

Nëse opozita nuk sjell besim, nëse ajo nuk ngrihet në lartësinë e pakënaqësisë popullore, do të mbetet thjesht spektatore e saj dhe pushteti do të vazhdojë të fitojë nga dobësia e kundërshtarit, jo nga forca e vet.

Në këtë sfond u njoftua protesta tjetër më 28 shkurt.

Pyetja nuk është sa njerëz do të mblidhen, por nëse kësaj radhe do të ketë një strategji që e kthen pakënaqësinë në projekt politik.

Përndryshe, edhe 28 shkurti do të jetë një datë tjetër në kalendarin e protestave, por jo një kthesë e madhe në politikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb