Tri partitë kryesore opozitare në Kosovë, PDK, LDK dhe AAK, kanë refuzuar pjesëmarrjen në takimin konsultativ të thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri.

Takimi u mbajt të martën në orën 09:00, ndërsa në të morën pjesë përfaqësues të partive në pushtet dhe të subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetet pakicë.

Në ftesën e saj, Haxhiu u kërkoi liderëve politikë të diskutonin për zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese.

PDK-ja dhe AAK-ja e kishin refuzuar pjesëmarrjen që të shtunën. Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, e cilësoi ftesën si një tentativë për të manipuluar me afatet kushtetuese, duke argumentuar se Haxhiu duhej t’i drejtohej kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, për thirrjen e Kuvendit.

Edhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, e refuzoi takimin, duke akuzuar Haxhiun dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se po kërkojnë të gjejnë fajtorë për krizën politike dhe jo një zgjidhje.

Të hënën, edhe LDK-ja njoftoi se nuk do të merrte pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu. Sipas kësaj partie, në rrethanat aktuale ajo duhet të konsiderohet vetëm si deputete e Kuvendit. Megjithatë, LDK-ja deklaroi se mbetet e gatshme të dialogojë me Albin Kurtin për zhbllokimin e situatës politike dhe zgjedhjen e presidentit.

Ngërçi politik lidhet kryesisht me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës. Deputetët janë mbledhur dy herë për konstituimin e legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit, por procesi ka mbetur pezull në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Albin Kurti ka argumentuar se Kuvendi nuk duhet të konstituohet pa një marrëveshje për presidentin, pasi në të kundërtën do të fillonte të rridhte afati 60-ditor për zgjedhjen e kreut të shtetit. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja të parakohshme.

Lëvizja Vetëvendosje dhe aleatët e saj nga komunitetet kanë numrat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në dy raundet e para të votimit.

Kriza institucionale në Kosovë vijon prej më shumë se një viti, pas zgjedhjeve të shkurtit 2025. Pas vështirësive për konstituimin e institucioneve dhe formimin e Qeverisë, vendi shkoi në zgjedhje të reja. Edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit, procesi institucional mbeti i bllokuar për shkak të pamundësisë për të arritur një marrëveshje për presidentin, duke çuar në zgjedhjet e 7 qershorit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb