Prej vitesh, përballë një shumice të konsoliduar si ajo e drejtuar nga Edi Rama, opozita ka zgjedhur një strategji që në letër duket agresive, denoncime të përditshme, konferenca shtypi, akuza për “vjedhje shekulli” dhe korrupsion të përhapur.
Por në praktikë, kjo strategji është shndërruar në një rutinë boshe, që nuk prodhon më as indinjatë dhe as mobilizim.
Problemi nuk është mungesa e fjalës. Përkundrazi, opozita flet shumë. Del çdo ditë në ekran, përsërit të njëjtat akuza, të njëjtat emra, të njëjtat skandale.
Por pikërisht kjo përsëritje ka prodhuar efektin e kundërt, banalizimin e korrupsionit. Kur çdo javë shpallet një “skandal i madh”, asnjë nuk mbetet më i tillë në sytë e publikut.
Ndërkohë, në parlament, përballë figurave të kompromentuara si Belinda Balluku, debati shpesh devijon, shpërqendrohet dhe humbet fokusin.
E kujtoni rastin kur media gëlonte nga faktet për shkeljet e ish-zv/kryeministres dhe opozita çfarë bënte?
Bllokonte foltoren për ligjin e barazisë gjinore!
Pra, edhe kur ka çështje që potencialisht mund të trondisin opinionin publik, opozita dështon t’i kthejë ato në kauza politike.
Nuk ka vijimësi, nuk ka përshkallëzim, nuk ka strategji. Ka vetëm zhurmë momentale.
Është e lehtë të thuhet se Rama fiton sepse kontrollon pushtetin, sepse ka 83 mandate dhe mund t’i çojë edhe më shumë.
Por kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Gjysma tjetër është se ai fiton sepse përballë ka një opozitë që nuk bind.
Një lider si Sali Berisha, me gjithë historinë dhe peshën e tij politike, nuk po arrin të prodhojë besim të ri.
Ekziston ende një bazë militante, por kjo nuk mjafton për të krijuar shumicë.
Protestat me disa qindra apo mijëra njerëz nuk janë më tregues force, përkundrazi, janë dëshmi e kufirit të saj.
Qytetarët nuk po reagojnë jo sepse nuk shohin probleme, por sepse nuk besojnë se ndryshimi vjen nga kjo opozitë.
Ata mund të dëgjojnë akuzat për korrupsion, por nuk ndihen të përfaqësuar nga ata që i artikulojnë.
Një nga dështimet më të mëdha është te protestat. Ato organizohen, por nuk frymëzojnë.
Duken si të thirrura, jo si të shpërthyera.
Mungon spontaniteti, mungon zemërimi real i përkthyer në pjesëmarrje masive.
Kur njerëzit vijnë në protestë “me detyrim” apo nga struktura partiake, ajo nuk është më protestë qytetare, është miting. Dhe mitingjet nuk rrëzojnë qeveri.
Fakti që edhe për çështje të forta, si rritja e çmimeve apo akuzat për korrupsion, nuk ka reagim masiv, tregon një boshllëk të madh, mungesën e besimit. Qytetarët mund të jenë të pakënaqur, por nuk janë të bindur se opozita është alternativa.
Problemi i vërtetë nuk është as SPAK-u, as mazhoranca, as propaganda.
Problemi është mungesa e një strategjie të qartë opozitare.
Në vend që të fokusojë energjinë në një kauzë të vetme dhe ta çojë deri në fund, me aksion parlamentar, presion publik dhe mobilizim të vazhdueshëm, opozita shpërndahet në dhjetëra tema, duke humbur efektin.
Një skandal si ai i përmendur ndaj Ballukut, në një opozitë funksionale, do të kthehej në krizë politike të përditshme, bllokim parlamenti, protestë e vazhdueshme, presion ndërkombëtar.
Në realitet, ai kalon si një episod i radhës në ciklin e pafund të akuzave.
Tashmë, qytetarët nuk mjaftohen më me denoncime. Ata kërkojnë alternativë. Kërkojnë ide, besueshmëri dhe garanci se ndryshimi nuk do të jetë thjesht riciklim i së shkuarës.
Kur përballë kanë figura të konsumuara, retorikë të përsëritur dhe mungesë të një projekti të qartë, ata zgjedhin të qëndrojnë pasivë.
Jo sepse janë dakord me qeverinë, por sepse nuk shohin arsye për të dalë në rrugë.
Nëse opozita nuk e kupton këtë krizë besimi dhe nuk ndryshon thelbësisht qasje, nga retorika në veprim, nga përsëritja në strategji, nga individët te idetë, atëherë rezultati është i parashikueshëm.
Edi Rama nuk fiton vetëm nga forca e tij, por nga dobësia e kundërshtarëve. Dhe në këtë raport, sot për sot, balanca është e qartë.
Në fund, rreziku më i madh për opozitën nuk është humbja e radhës.
Është kthimi në një strukturë që ekziston vetëm për të folur, dhe jo për të ndryshuar gjë.
