Ish-presidenti Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, ka komentuar mbi situatën politike në vend.

Ai u shpreh se nuk kishte besim që protesta e thirrur me 11 shkurt do të kishte rezultat, duke iu referuar siç tha protestave paraardhëse.

Topi foli gjithashtu në lidhje me situatën brenda Partisë Demokratike, për të cilën tha se nuk sheh asnjë shpresë që të ketë një bashkim para zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Pjesë nga biseda në studio:

Nisida Tufa: Bllokimi i foltores në Parlament dhe përjashtimet e deputetëve në dy seancat e fundit. Si i komentoni?

Bamir Topi: Në rast se në memorien e medias do shihni një rast në karrierën time të gjatë që të kem dalë një herë në foltore do rezervohesha të flisja. E kuptoj që kjo vjen nga zemërimi dhe mungesa e rregullit por kjo nuk është mënyra. Kur nuk ka rregull ligjin e bën i forti. Opozita ka një problem, nuk përfaqësohet në byronë e Parlamentit apo komiteti që përfaqësohet nga kryetarët e grupeve parlamentare. Në këtë pikëpamje nuk kanë një zë.

Rregulli që duhet të vendoset në Parlament ka të bëjë me kohën e debatit që më pas duhet ndarë dhe respektuar. Pastaj drejtimi i Parlamentit duke e kthyer komunikimin në aspak të këndshme të lë një shije të hidhur. Ka kohë që Parlamenti mbart një frymë aspak civile dhe kjo është shumë e rëndë.

Nisida Tufa: Duke se çështja “McGonigal” i dha forcë opozitës, madje u caktua edhe data e protestës. Ç’pritshmëri keni?

Bamir Topi: Që të merrni pritshmëri për protestën e radhës, duhet të kthejmë kokën pas në protestat e kaluara. Protesta është një mjet demokratik, mund ta bëjë edhe një individ. Një protestë e opozitës duhet të çojë diku. Po u kthye në një ritual që nuk çon askund kthehet në deziluzion dhe pesimizëm. Protesta është e nevojshme.

Nisida Tufa: Kemi pasur thirrje edhe për revoltë apo revolucion nga eksponentë të opozitës

Bamir Topi: Ka të bëjë me formimin e tyre. Unë do përdorja argumentin, mendimin politik dhe do përdorja kurajën për të akuzuar drejtpërdrejtë nëse do kisha fakte. Themi sot pse opozita është e dobët, sepse është ndërtuar e tillë sepse nuk kanë dashur debate brenda partisë e për pasojë kanë eliminuar elitën. Dhe kur vijnë më pas përballë përplasjes, rrëzohen.

Nuk ma mban goja të them substancën që ka opozita. Sigurisht ka individë, por janë në minorancë.
Një vend pa një opozitë normale është i destinuar të shkojë kështu siç po shkojmë.

Nisida Tufa: Sa të mundur e shihni një bashkim në PD para zgjedhjeve?

Bamir Topi: Janë probleme shumë të thella. Nuk është vetëm çështjes kimie apo nevojë për të qenë bashkë. Problemi cila është qendra e referencës së kësaj politike. Jemi në kuadër të një konjukture ndërkombëtare. Ai që e bën llogarinë mirë e bën për të shkuar në një linjë e një drejtim që nuk kompromentohet me emrin e dikujt siç është zoti Berisha.
Nuk shoh të ardhme. Nuk është çështjes personale. Nuk ka një vend në Ballkan që tentojnë të riciklojnë persona që kanë dështuar në disa drejtime dhe rikthehen me të njëjtat teza.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb