Teksa ngelet ende mister nëse udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, është apo jo gjallë, ekzistojnë disa opsione për zëvendësimin e tij. Nëse ai do të vritej në një operacion të përbashkët amerikano-izraelit, ai ka të ngjarë të zëvendësohet nga figura të linjës së ashpër të Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC). Ky është vlerësimi kryesor i inteligjencës amerikane, sipas dy burimeve të njohura me analizën e Central Intelligence Agency (CIA).
Raportet, të përpiluara gjatë dy javëve të fundit, analizojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse skenarët e mundshëm në Iran pas një ndërhyrjeje ushtarake amerikane dhe shqyrtojnë nëse një operacion i tillë mund të çojë në ndryshimin e regjimit në Iran. Sipas të njëjtave burime, analizat nuk arrijnë në një përfundim të prerë për ndonjë skenar specifik, pasi situata karakterizohet nga pasiguri e lartë. CIA ka refuzuar të komentojë zyrtarisht.
Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar prej javësh se SHBA-të synojnë ndryshimin e regjimit në Iran, por pa dhënë detaje konkrete mbi mënyrën se si do të drejtohej vendi në një periudhë kalimtare. Në një videomesazh të shtunën në mëngjes, Trump e cilësoi Teheranin si “regjim terrorist” dhe u bëri thirrje iranianëve të marrin pushtetin, duke deklaruar se sulmet amerikane mund të hapin rrugën për një kryengritje popullore.
Sulmi i përbashkët amerikan dhe izraelit erdhi pas javësh debatesh intensive brenda administratës amerikane mbi mundësinë e ndërhyrjes ushtarake, në sfondin e protestave të përgjakshme që shpërthyen në Iran në dhjetor.
Zyrtarët amerikanë kishin shtyrë përpara përpjekjet për një marrëveshje të re mbi programin bërthamor të Teheranit, me qëllim shmangien e përshkallëzimit ushtarak. Megjithatë, bisedimet e zhvilluara në Gjenevë nuk arritën një marrëveshje. Në një takim të mbyllur me drejtuesit e komisioneve përkatëse të Kongresit amerikan, Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi se një operacion ushtarak kundër Iranit ka gjasa të vazhdojë, por theksoi se Trump mund të ndryshojë qëndrim nëse negociatat japin rezultat.
Të premten në mbrëmje, Rubio informoi sërish të njëjtët zyrtarë se sulmi mund të nisë brenda orëve, duke theksuar se vendimi përfundimtar i takon presidentit.
Roli i Gardës Revolucionare konsiderohet forca elitare ushtarake e Iranit, e ngarkuar me mbrojtjen e regjimit teokratik dhe autoritetit klerikal shiit. Sipas vlerësimeve të CIA-s, në rast të largimit të papritur të Khameneit, figurat më të ashpra brenda këtij korpusi kanë më shumë gjasa të mbushin boshllëkun e pushtetit.
Kjo nënkupton se një ndërhyrje ushtarake mund të mos çojë domosdoshmërisht në një udhëheqje më të moderuar në Teheran, por përkundrazi të forcojë elementët më radikalë të regjimit aktual.
