Akademiku Artan Fuga ka reaguar pas shpalljes së mundësi gjeorgjian Abakarov kampion bote, përfaqësues i Shqipërisë në Botërorin që po zhvillohet në Beograd.

Fuga pyet politikanët se përse lavdërohen, apo në mos duan ta fusin dhe atë në parti.

Alabakëri fare!
——————–
Mundësi gjeorgjian Abakarov bravo i qoftë që doli kampion për peshën e tij në sportin e mundjes në Beograd. I heq kapelën atij individualisht!
Por propaganda dhe politikanët e krahëve të ndryshme po e paraqet të shkretin me shumë realizëm dhe të drejtë se ai ka ngritur lart krenarinë shqiptare, emrin e shqiptarit që qysh në traditat më të lashta e ka pasur zanat sportin e mundjes, është një fakt i pamohueshëm për punën e madhe që bëjnë sportet te ne me ekipet zinxhir qysh nga fëmijëria e deri në mosha të rritura, është vazhdim i traditave të Mujit dhe Halilit dhe e Gjergj Alisë që ndesheshin me bajlozat dhe hidhnin gurë të rëndë nga mali, sikur vërteton superioritetin e politikave të sotme sportive mbi mundjen ta zëmë që zhvillohej në repartet ushtarake të kufirit në vitet ’70!
Është tregues i miqësisë shqiptaro – gjeorgjiane dhe i politikës së jashtme të vendit!
Edhe i punës së lavdërueshme me futbollin që bëhet në Tiranë!
Ore me cilin ekip mundje ha bukë ky i shkreti?
Po politikanët çfarë duan me këtë që lavdërohen, rrotullohen, krenarohen?
Ai është në punë të vet! Edhe atë duan ta fusin në parti?
Po mjaft o mjaft se u bë karagjozllik fare! Lërini mo emigrantët e shkretë të zhvillohen!
E poooo, të të të bëjnë krenar me shqiptarin Abakarov!
Alabakëri fareeeeee!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb