Kompania shtetërore KAYO dhe Policia Ushtarake po pengojnë gazetarët e News24 dhe Panorama të marrin pajisjet e punës nga ambientet e godinës së zaptuar prej 5 ditësh tanimë, pavarësisht vendimit nga Gjykata e Tiranës të marrë ditën e djeshme. KAYO me drejtues Ardi Veliun po sfidojnë jo vetëm vendimet gjyqësore, por edhe ligjin themeltar të shtetit, Kushtetutën duke zgjedhur të shkelë çdo ligj dhe të bëjë “vetëgjyqësi”.
Kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (neni 142/3), ku theksohet qartë se “organet e shtetit janë të detyruara të zbatojnë vendimet e gjyqësorit”;
Kodit Penal (neni 320) i cili parashikon se “moszbatimi me dashje i vendimeve të formës së prerë të gjykatave, dënohet me burgim deri në 2 vjet”;
dhe Kodit të Procedurës Civile (neni 451) se “vendimet e formës së prerë të gjykatave janë të detyrueshme për të gjitha organet, personat fizikë dhe juridikë”.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Neni 142/3
Organet e shtetit janë të detyruara të zbatojnë vendimet gjyqësore.
Kodi Penal
Neni 320
Moszbatimi me dashje i vendimeve të formës së prerë të gjykatës, dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet.
Ligji nr. 8116/1996
“Kodi i Procedurës Civile”
Neni 451
Vendimet e formës së prerë të gjykatave janë të detyrueshme për të gjitha organet, personat fizikë dhe juridikë.
***
Thirrja shkon për institucionet shtetërore që të respektojnë ligjin dhe të garantojnë lirinë e medias dhe ushtrimin e profesionit të gazetarëve, pa pengesa dhe presione.
Ligji e ka të rregulluar dhe vetë Gjykata Kushtetuese në një vendim të disa muajve më parë ka sanksionuar se “gazetarët nuk duhet të pengohen në ushtrimin e profesionit të tyre, të mbrojnë burimin dhe sendet e tyre të punës nuk duhet të cenohen”. Kjo është një e drejtë e garantuar jo vetëm nga ligjet shqiptare, por edhe nga konventat ndërkombëtare për lirinë e shtypit dhe të shprehjes.
(BalkanWeb)
