Prej më shumë se gjashtë vjetësh e shohim në rolin e moderatores televizive. Megjithatë, fansat entuziazmohen për çdo projekt të saj në muzikë. Orinda Huta e ka nisur sezonin e ri me një impenjim të rëndësishëm në televizion, si autore e emisionit “Vizioni i Pasdites”, ndërsa tani është duke përgatitur një këngë të re. E ndërsa të gjithë jemi në pritje të këtij materiali për të cilin Orinda ka punuar me Aida Barakun dhe Armend Rexhepagiq, këngëtarja na rrëfen se do të vijë shumë shpejt edhe me një duet të ri. Prej vitesh Orinda është në lidhje me ish-anëtarin e grupit “Product 28” dhe tashmë Nëndrejtorin e Përgjithshëm të Vizion Plus. Këngëtarja na zbulon në këtë intervistë për “Bluetooth” disa detaje nga marrëdhënia dhe ndikimin e tij në karrierën e saj.

Orinda, ka nisur një sezon shumë impenjativ për ty, projekte dhe angazhime të reja, qoftë sa i takon muzikës, qoftë edhe në televizion. Kishte ardhur koha për këto hapa të rëndësishme?
Kishte ardhur koha që të merrja përsipër projekte të tjera me rëndësi më të madhe se ato për të cilat punoja më parë. Angazhimi im në televizion gjatë këtyre gjashtë vjetëve ka qenë i përditshëm me një emision rinor, “Next” dhe dy emisione të tjera, si “Weddig” dhe “Jetë e re”. E kam nisur, e kam vazhduar me dëshirë të madhe punën në televizion, me synimin për të bërë gjëra të bukura dhe sigurisht për t’u rritur duke mësuar çdo ditë. Kishte ardhur koha që t’i jepja edhe më shumë vlerë përkushtimit tim.

Vjen në rolin e autores në një emision të rëndësishëm si është ai i pasdites. Cilat janë vështirësitë që has çdo ditë në këtë pozicion?
E mora përsipër autorësinë dhe realizimin e “Vizionit të Pasdites” këtë vit, duke e konsideruar si sfidë, të cilën shpresoj ta kaloj me sukses. Është padiskutim përgjegjësi e madhe, por në të njëjtën kohë ndjehem falënderuese ndaj Genc Dulakut që ma besoi. Sfida fillestare, të cilën pretendoj se e kam kaluar me sukses është skuadra me të cilën kam zgjedhur të punoj. Kam një super skuadër, e cila nuk më ka lënë asnjë moment në baltë dhe vështirësitë janë të vogla. Secili prej tyre e konsideron emisionin të vetin dhe e duan, ndaj kujdesen maksimalisht, duke sjellë edhe ide të reja çdo ditë.

Si punon me Anilën? Jeni përshtatur mirë bashkë?
Anila është e preferuara ime gjatë viteve në “Vizion Plus”. Ajo është figura e dashur për shikuesit, që nuk duhet të mungojë kurrsesi. Jemi përshtatur mjaft mirë, duke qenë të dyja pjesë e skuadrës.

Orindën e televizionit kemi vite që e shohim, por më shumë ka munguar këngëtarja. Kanë qenë të rralla këngët që keni sjellë. Për ty ia ka vlejtur të “sakrifikojë” muzikën për televizionin?
Sigurisht që ia ka vlejtur. Punën në televizion e kam bërë me shumë dashuri. Këngën e dua gjithashtu, por nuk mund të them që para se të punoja në televizion merresha më shumë me këngë. Jo! Unë kam publikuar maksimumi dy këngë në vit dhe e njëjta gjë po ndodh tani, që punoj në televizion. Vitet e para të punës ishte e pamundur të merresha me të dyja, sepse ende nuk e njihja terrenin dhe mënyrën e të punuarit. Nuk e kam pasur as e vogël ambicien që jeta ime të varej nga përfshirja në muzikë. Muzikën e kam pasion dhe e dua, por nuk pendohem për asnjë veprim të kryer në dëm të saj.

Riktheheni me një projekt të ri, një këngë të realizuar me Aida Barakun dhe Armend Rexhepagiq. Na trego diçka më shumë për këngën…
Kam mëse dy vjet që mendoj për bashkëpunimin me Aidën dhe Armendin. Bashkëpunimi i parë me të dy për këngën “Nisu arratisu” ka qenë shumë i ndjerë dhe i realizuar shumë bukur, ndaj doja të riktheja edhe njëherë ndjesinë. Projekti i radhës, të cilit unë nuk ia kam zbuluar të plotë titullin, është dashuri me dëgjim të parë. Teksti nuk është përjetim personal, por nuk ka njeri që s’e përjeton të paktën një herë në jetë.

Kemi dëgjuar se kjo këngë nuk është i vetmi projekt që ke. Po realizon këngë të tjera?
Jo, nuk është i vetmi projekt. Projekti i radhës është me një tjetër kompozitor, me të cilin kam vite që e mendoj bashkëpunimin dhe preferoj që ta sjell duet.

Mund ta quajmë këtë një rikthim me kohë të plotë në muzikë? Do të shohim më shpesh në skenë si këngëtare?
Jo, jo, nuk jam me kohë të plotë në muzikë. Jam thjesht me zemër. Projektet do të vijnë në periudha të ndryshme. Unë do të jem konstante në prurjen e tyre.

Ke munguar në festivale. Pse?
Isha vitin që shkoi në bashkëpunim me Landin për këngën “Winnie Winnie Pooh” në Kënga Magjike dhe kënga u vlerësua. Unë nuk kam qejf të shkoj çdo vit në festival.

Veç karrierës, në vëmendjen e fansave është edhe jeta juaj private. U bënë vite tashmë që keni deklaruar lidhjen me Turin. Cilat janë planet për të ardhmen tuaj?
Tulla dhe llaç janë planet e të ardhmes.

Sa ndikon ai në karrierën tuaj, në televizion apo edhe në muzikë? Sa ndikon në vendimet e tua?
Turjani është bekimi im në rrugën televizive dhe ai që më shtyn më shumë se vetja që të merrem me muzikë. Do të gënjeja nëse do të thoja që nuk ndikon, por ne kemi gjëra të përbashkëta, ndaj nuk kemi shpesh kundërshti në ide, apo vendime.

Të gjitha çiftet kanë ulje ngritje. Gjatë këtyre viteve cili ka qenë momenti juaj më i vështirë?
Mmmm, nuk e kujtoj.

Po momenti më i bukur i ditës që kaloni bashkë?
Mëngjesi dhe darka janë gjithmonë të bukura.

Orinda, për çfarë je penduar më shumë në jetë?
Për asgjë.

Cila është frika jote më e madhe, çfarë mendimi të tmerron?
Kam frikë vetëm nga Zoti. Nuk kam mendime që më tmerrojnë, jam natyrë e qetë.

Cili është premtimi që u bën adhuruesve?
I kam shumë xhan dhe do të vazhdoj të punoj shumë. Gjithashtu do të jem besnike ndaj atyre që më mbështesin me krijimet në muzikë dhe televizion.

(m.k/Bluetooth/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: