Emisioni “Në Shënjestër”News24 ka hedhur dritë mbi vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla, i cili u ekzekutua brenda makinës së tij “Range Rover” në Elbasan, sapo kishte dalë nga banesa e nënës së tij.

Dokumentari zbulon detaje kyçe të hetimit, nga përplasjet e tij me ish-ortakun në biznes deri te pistat që çuan në zbardhjen e motiveve të krimit.

Po ashtu, emisioni sjell të dhëna të reja mbi mënyrën se si u identifikua automjeti “Audi” i përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Pjesë nga dokumentari:

Por si mbërriti grupi hetues te personat e dyshuar si organizatorë dhe ekzekutorë të biznesmenit Mondi Mëhalla, ku deri më tani janë kryer katër ndalime.

Konkretisht Xhino Ago, 32 vjeç, ish-ortak me viktimën në një nga bizneset e tij, në akuzë për ‘vrasje me paramendim në bashkëpunim’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.

Kujtim Pisha, 52 vjeç, roja i karburantit ‘Xhaxhi Oil’ ku ndodhi vrasja, në akuzë për ‘moskallëzim krimi’. Marsel Arani 32 vjeç dhe Armando Kola 35 vjeç.

Respektivisht personat që mendohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të çuar deri në fund planin për të ekzekutuar Mondi Mëhallën mbrëmjen e datës 30 Nëntor 2025. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim 2 persona të tjerë, të cilët mendohet të jenë ekzekutori dhe ndihmësi i tij që e largoi me makinën e zezë tip ‘Audi’.

Makinë që siç thamë u gjend e djegur vetëm 15 kilometra nga vendi i atentatit në fshatin Mirakë, në rrugën nacionale, Elbasan-Librazhd.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’ e gjithë zbardhja e dinamikës që zbulon edhe mënyrën se si u planifikua dhe u ekzekutua biznesmeni Mondi Mëhalla, nis me zbardhjen e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në aksin Lezhë-Thumanë si dhe Thumanë-Kashar, aty ku shihet të lëvizë edhe automjeti ‘Audi’ A4 i zi, i përdorur në krimin e vrasjes së 43 vjeçarit. Ky automjet vihet re të lëvizë shpesh në këtë aks rrugor midis datave 23 dhe 29 Nëntor, pra deri një ditë përpara ekzekutimit të Mondi Mëhallës.

Makinë që gjatë këtyre ditëve në drejtimin e tij vihet re shtetasi Rolando Gjoni, 27 vjeç me banim në qytetin e Lezhës.

Dosja Hetimore

Nga kqyrja e pamjeve filmike të lëvizjes së automjetit me të cilin është kryer vrasja e shtetasit Mondi Mëhalla, të markës ‘Audi’ A4, ngjyrë e zezë, me targa AB 977 GE, del se kjo makinë lëviz shpesh në aksin Lezhë-Thumanë dhe Kashar-Thumanë dhe anasjelltas. Konkretisht kjo makinë është kapur nga radarët në këto akse rrugore nga datat 23 deri më 29 Nëntor 2025. Ku në drejtim të këtij automjeti dyshohet se ka qenë shtetasi Rolando Gjoni, banues në Lezhë.

Do të ishte pikërisht Rolando Gjoni i cili do të rrëfente për grupin hetues edhe poseduesin e vërtetë të automjetit ‘Audi’ A4, me të cilin ai lëvizte.

Por që çuditërisht vetëm një ditë pasi ai nuk ishte parë në drejtimin e këtij automjeti, më datë 30 Nëntor 2025, pikërisht kjo makinë kishte qenë pjesëmarrëse në ekzekutimin e Mondi Mëhallës në Elbasan.

26 vjeçari që tregoi edhe personin të cilit ia kishte dhënë këtë makinë vetëm një ditë para krimit. Ose më saktë ia kishte kthyer, pasi e kishte përdorur për disa kohë.

Ky person sipas Rolando Gjonit, ishte Armando Kola.

Një nga të ndaluarit si bashkëpunëtor në krimin e vrasjes së Mondi Mëhallës

Roland Gjoni që ishte parë me këtë makinë edhe në kamerat e sigurisë së një karburanti në vendin e quajtur ‘Tolli’ në Lezhë.

Ku pas ngjarjes së ekzekutimit të Mondi Mëhallës, u bë edhe shoqërimi dhe marrja e tij në pyetje nga Drejtoria Vendore e Policisë në Elbasan.

Dosja Hetimore

Gjatë shoqërimit në polici, Rolando Gjoni, i pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për vrasjen e shtetasit Mondi Mëhalla, tha se automjetin tip ‘Audi’ A4, atij ia ka dhënë një i njohuri i tij. Ky person sipas tij është Armando Paulin Kola. Dhe se Armando ia kishte dhënë për ta mbajtur këtë makinë për disa kohë. Por më datë 29 Nëntor 2025, Rolando Gjoni, thotë se Armando e ka marrë në telefon dhe i ka thënë se do vi një person që ta marrë makinën ‘Audi’ A4, me targë AB 977 GE, pasi e ka të pamundur që të ndryshojë pronësinë e tij.

Dëshmia e Rolando Gjonit dhënë para grupit hetues mbi bisedat e tij e zhvilluara midis tij dhe Armando Kolës, u provuan edhe nga pamjet filmike të një garazhi në Tiranë.

Ku pasi Armando Kola e kishte njoftuar se automjetin tip ‘Audi’ A4 do vinte ta merrte një person, Rolando Gjoni mësohet se ka udhëtuar drejt kryeqytetit me këtë automjet me qëllim për ta dorëzuar te personi për të cilin ai thotë se Armando i kishte folur.

Gjë që ka ndodhur më datë 29 Nëntor 2025. Vetëm një ditë para se Mondi Mëhalla të ekzekutohej.

Dosja Hetimore

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në vendin e quajtur ‘Blloku i Ambasadës Greke’, pranë parkingut të një pallati,  Rolando Gjoni është takuar me tre shtetas të cilët ishin me një automjet të markës ‘BMW’ X1, me targë AB 686 VG.  Këta shtetas kanë marrë ‘Audin’ A4, ngjyrë të zezë, me targë AB 977 GE nga shtetasi Rolando Gjoni dhe janë larguar. Nga verifikimet e mëtejshme del se automjeti ‘BMW’ X1, me targë AB 686 VG , rezulton në pronësi të shtetases Sh.T, nga fshati Rajcë, në Prrenjas.

Do të ishte pikërisht ky moment i dokumentuar edhe me pamje filmike, që do zbulonte edhe emrat e personave të cilët ishin të fundit që kishin kontakt me automjetin ‘Audi’ A4 të përdorur në vrasjen e Mondi Mëhallës. Persona ku njëri prej tyre rezultoi se ishte një njohje e ngushtë me viktimën. Ose më konkretisht ishte ortak me të, por që një prishje pazaresh në biznes kishte sjellë edhe përplasje fizike midis tyre, në ditët e fundit para se të ndodhte krimi.

Dosja Hetimore

Nga administrimi i pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë të vendosura në parkingun e pallatit ku u dorëzua makina në Tiranë, tre personat që kanë shkuar për të marrë automjetin ‘Audi’ A4, me targa AB 977 GE, nga shtetasi Rolando Gjoni, janë identifikuar si shtetasit Nevzat Spaho, Marselo Arani dhe Oklid Ndino EL Ouejdi.

Të cilët janë njohur edhe nga shtetasi Rolando Gjoni, gjatë paraqitjes së fotografive të tyre, përpara tij, në dëshminë e dhënë në polici.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb