Dy trupa janë nxjerrë nga ekipet e shpëtimit pas një orteku masiv që goditi një grup alpinistësh në kampin bazë të malit Himlung Himal, në Nepal.

Orteku ra të dielën në mëngjes në distriktin Manang, duke përfshirë kampin ku qëndronte një grup prej shtetasish nepalezë, mes tyre alpinistë dhe pjesëtarë të stafit mbështetës. Rreth 12 persona dyshohet se vijojnë të jenë të zhdukur, ndërsa numri i saktë ende nuk është konfirmuar.

Sipas Bibhuti Chand Thakur nga kompania “Himalaya Holidays Trekking”, të paktën tetë anëtarë të ekspeditës së tyre janë raportuar të zhdukur. Grupi nepalez ishte dërguar përpara alpinistëve të huaj për të përgatitur kampin, menaxhuar rrugën dhe vendosur litarët në mal.

Mali Himlung Himal, me lartësi 7,126 metra, ndodhet në kufirin e Nepalit me Tibetin. Në ditët e fundit në zonë janë regjistruar reshje të dendura dëbore, duke krijuar kushte të rrezikshme për ekspeditat.

Për shkak të motit të keq dhe borës së dendur, helikopterët dhe ekipet e shpëtimit fillimisht nuk kanë mundur të mbërrijnë në vendngjarje. Një ekip i përbërë nga alpinistë me përvojë u nis nga Katmandu me helikopter, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit pritet të vijojë të hënën.

Kushtet e vështira atmosferike kanë prekur edhe ekspedita të tjera në Nepal. Në fillim të kësaj jave, alpinistët u detyruan të largoheshin nga mali Manaslu, maja e tetë më e lartë në botë, për shkak të rrezikut në rritje nga ortekët.

Ngjarja e fundit vjen më pak se dy muaj pas vdekjes së gjashtë alpinistëve në Broad Peak të Pakistanit, mes tyre edhe alpinisti i njohur britaniko-nepalez Nirmal Purja.

Nepali është përballur me kushte të vështira atmosferike dhe fatkeqësi natyrore të njëpasnjëshme, ndërsa reshjet e shiut dhe dëborës kanë rritur rrezikun në zonat malore. Paralelisht, vijojnë operacionet për gjetjen e personave të zhdukur pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve masive të dheut në kufirin Nepal-Tibet, ku mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: