NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nuk do të kërkojë rritje të çmimit të energjisë për vitin 2017. Burime nga OSHEE-ja bëjnë të ditur se edhe për vitin e ardhshëm tarifat do të mbeten të pandryshuara, pasi edhe pse operatorit i njihet e drejta ligjore për të riparë çmimin, nuk do të bëjë kërkesë pranë ERE-s për rritje. Ndërkohë, vendimi i OSHEE-së për të mos kërkuar rritje të çmimit mund të vihet në dilemë nëse kompanitë e tjera të sektorit publik, KESH dhe OST, do të kërkojnë rritje të çmimeve. Nëse ato kërkojnë rritje të tarifave dhe Enti Rregullator i pranon, atëherë edhe OSHEE-ja mund të rishikojë pozicionin e tarifave.

Aktualisht çmimi për konsumatorët familjarë është 9.5 lekë për kilovat orë, ndërsa për bizneset varion nga 7.1 deri në 12.65 lekë për kilovat orë, në varësi të llojit të biznesit, por edhe tensionit në të cilin është lidhur. Si rezultat i aksionit për uljen e vjedhjeve të energjisë, por edhe rritjes së çmimeve për një sërë konsumatorësh, të ardhurat e OSHEE-së, por edhe kompanive të tjera të sistemit kanë shënuar rritje të fortë.

Kompanitë publike të sektorit të energjisë, OSHEE, OST dhe KESH janë në fazën e përgatitjes së aplikimeve në Entin Rregullator të Energjisë për ndryshim çmimi për janar-dhjetor 2017. Por, të paktën kompania më e madhe e sektorit, ajo që ka impakt te tarifat e konsumit me pakicë, OSHEE, mësohet se nuk do të kërkojë rritje të çmimit për vitin e ardhshëm. Burimet pranë OSHEE-së bëjnë me dije se kompania ka një balancë pozitive këtë vit, për shkak të miradministrimit në arkëtimet e energjisë, nga njëra anë, dhe motit favorizues nga ana tjetër.

IMPORTI
Dy muajt e fundit, OSHEEja nuk ka importuar energji nga jashtë, por e ka përballuar konsumin me prodhimin vendas nga HEC-et e kaskadës së Drinit dhe prodhuesit e vegjël të energjisë që tani e shesin prodhimin direkt te shpërndarja. Për periudhën janar-shtator, fitimi i OSHEE-së pas taksave nga aktiviteti arriti në 7.3 miliardë lekë, nga 9.3 miliardë lekë vitin e kaluar. Në 2015-ën, arkëtimet u stimuluan shumë nga masat që OSHEE-ja mori për arkëtimin e borxheve të vjetra, duke aplikuar lehtësi për ata që paguanin të gjithë shumën menjëherë. Sipas rezultateve të 9-mujorit, mësohet se fitimi që OSHEE-ja ka paguar në arkën e shtetit ka qenë 1.28 miliardë lekë, ose rreth 9 milionë euro, duke ndikuar pozitivisht në të ardhurat e buxhetit të shtetit.

LEXIMI I MATËSIT

Me kontratën e re tip të miratuar nga ERE furnizuesi do të bëjë leximin periodik të matësit të energjisë elektrike të klientit, konform parashikimeve të Kodit të Matjes, Kodit të Rrjetit si dhe legjislacionit në fuqi për Metrologjinë, për një periudhë kohore prej 30 ditësh kalendarike dhe do t’i dërgojë klientit fundor në adresën e dhënë në kontratë, faturën-tip të energjisë elektrike, brenda 10 ditëve nga data e leximit.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb