Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se ata i kanë ofruar presidentes aktuale, Vjosa Osmani nënshkrime te nevojshme për kandidaturën e saj, por sipas Nagavcit, Osmani nuk e ka pranuar ofertën.
“Ka pasur një vëmendje e debat e interesim të qytetarëve rreth qytetarëve rreth çështjes së kandidimit të presidentes edhe për një mandat. Në lidhje me këtë ju njoftoj që si lëvizje i kemi ofruar edhe presidentes, Vjosa Osmani nënshkrimet për kandidaturën e saj, edhe pse nga ajo që e dimë asnjë subjekt tjetër politik deri tani nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Madje kemi pasur edhe deklarata të subjekteve politike, në këtë rast të PDK për mos mbështetjen e zonjës Osmani. Meqenëse zonja Osmani nuk e ka pranuar këtë oferte, tani duke marrë parasysh dinamikat aktuale dhe kohën e shkurtër deri nesër deri në ora 24:00 për të zgjedhur presidentin, por edhe numrat e subjekteve të tjera politike që nuk e kanë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për të siguruar 30 nënshkrime për të plotësuar kushtin për nominimin e kandidatit për president, ne si LVV kemi qenë të gatshëm e jemi të gatshëm t’i ofrojmë nënshkrimet e deputetëve tanë”, tha Nagavci.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidencës. Ata kanë demantuar këtë deklaratë të Nagavcit, duke e quajtur këtë si gënjeshtër.
“Demant. Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër!”, ka shkruar Learta Hollaj, këshilltare e presidentes aktuale, Vjosa Osmani.
