Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Serbia ende vazhdon të bëjë shkelje flagrante të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Osmani shtoi se Serbia madje vazhdon ta ripërsëritur krimin e saj duke e fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

“I bëj thirrje gjithë komunitetit ndërkombëtar, aleatëve dhe miqve të Kosovës që të mendojnë pak për familjarët e atyre fëmijëve të zhdukur që ende janë në varreza masive në të cilat po fle Serbia edhe 25 vite pas lufte”, tha Osmani.

Presidentja kërkoi që komuniteti ndërkombëtar të mendojë për nënat që ende shkojnë te varri i zbrazët, e për fëmijët që ende nuk e dinë se ku i kanë prindërit e tyre.

“Të mendojnë për faktin që edhe 25 vite pas lufte në krye të Serbisë janë po ata që shkaktuan zhdukjen me dhunë të më të dashurve tanë. Shpresojmë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë më proces që Kosovës do t’i bëhet trysni, popullit të Kosovës do t’i bëhet padrejtësi ndërkaq fytyra e Vuçiçit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive do të vazhdojë të shpëlahet padrejtësisht”, tha Osmani.

Presidentja këto komente i bëri pas homazheve tek Memoriali për të Pagjeturit, që bëri së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb