Kampionati shqiptar ka hyrë në një moment shumë të rëndësishëm, teksa skuadrat tashmë kërkojnë të konsolidojnë pozitat e tyre, për të arritur kështu objektivat. Elita kryesohet nga Egnatia, ndërsa në vendin e dytë qëndron Vllaznia. Vendi i 3-të dhe i katërt mbahet nga Tirana dhe Partizani, sakaq sezon të mirë po luan edhe Dinamo e vendit të pestë. I mirënjohuri, Sulejman Mema në një intervistë ekskluzive për News 24 në Sport News, në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, tregoi këndvështrimin e tij. Diçka u tha edhe për futbollistët shqiptarë si Muçi apo edhe Manaj, që po bëjnë  paraqitje pozitive në ekipet respektive.

 

Mema, pse është kaq e vështirë këtë sezon të flasësh për favoritë, pse kanë kaq shumë luhatje ekipet që synojnë titullin?

Luhatjet i kanë patur edhe më përpara. Arsyeja është vetëm akti final, teksa në fund katër më të mirat do të përballen mes tyre. Skuadrat nuk janë të motivuara nga fillimi në fund. Edhe tani shikoj që ka një interes të madh nga skuadrat.

Luhatje të forta kanë mbi të gjitha dy ekipet e kryeqytetit, Partizani dhe Tirana. Nuk po jep efektet që pritej transferimi i Shehit te Partizani, në këndvështrimin tënd pse po vuan kaq shumë ky ekip me lojtarë cilësorë, ku është problemi kryesor i tyre?

Ka të bëjë shumë edhe zëvendësimi i trajnerit. Çdo trajner ka idetë e tij. Partizanin dua ta shikoj te futbollistët dhe jo te trajneri. Partizani po pëson gola, ka raste kur nuk ka efikasitet në veprimet sulmuese.

Sa i takon Tiranës, konfliktet me trajnerin që ishte, ardhja e trajnerit të ri, janë gjëra që ndikojnë. Penalizimet e UEFA kanë bërë që elementët që kanë të mos jenë të gatshëm për të hyrë dhe për të dhënë kontribut.

Te Tirana vijojnë të ndryshojnë trajner, tani Halili po provon dhe kartën “Fagu”, a është normale për një klub kaq të madh të ndryshojë tre trajnerë në tre faza?

Unë mendoj që objektivat Tirana nuk i ka të qarta. Ardhja e Fagut? Është djal që është rritur këtu. Ka mentalitetin e duhur por nuk ka eksperiencën e duhur për të bërë mirë.

Çfarë mund t’i kërkosh një trajneri që ulet në stol pa asnjë seancë stërvitore, me të drejtë Fagu apo kushdo tjetër kërkon kohë?

Duhet mbështetje nga të gjithë. Duhet mëbshtetur ky djal pasi është produkt i tyre. Shpresoj që në ndeshjet e tjera të kapë “Final Four”. Është një vlerë e futbollit shqiptar!

Ndaj Laçit luajti për shumë minuta me një lojtar më shumë, por vetëm barazim. A mendoni se rrezikon Tirana?

Me këto rezultate, ka rrezik. Ka disa skuadra që mund të jenë afër. Një prej tyre është Dinamo, që unë e pashë dje. Luajti më mirë se Vllaznia, edhe pse fitoi Vllaznia.

Luan këtë javë me Vllazninë, ekipin e momentit në Superligë, si e shihni këtë përballje?

Dje nuk pashë një skuadër aq cilësore (I referohet Vllaznisë). Nëse Tirana do ketë gjitha resurset e veta në dispozicion, gjithmonë ka dhënë ndeshje të bukura. Duhet të triumfojë Tirana.

Ndryshe nga Partizani dhe Tirana, te Vllaznia ndihet dora e trajnerit dhe uria e një qyteti për të fituar titullin, a mund të bëjë Vllaznia surprizën këtë sezon, a ka elementët e duhur në këndvështrimin tënd për të fituar titullin?

Vllaznia do jetë pjesë e katërshes. Trajneri i ri që ka ardhur nuk merret shumë me aktualitetin që ka patur Vllaznia në përgjithësi. Tani nuk ka qoka, tani luajnë më të mirët dhe normalisht që vijnë rezultatet. Është pragmatist.

Një efekt pozitiv i skenës së re është fakti që nga vendi i parë Egnatia e deri te Laçi i vendit të 7 të gjithë duken në lojë, pasi Laçi është vetëm 5 pikë larg vendin të katër që të fut në garë për Evropë dhe titull, a mund të këtë ndonjë surprizë deri në fund dhe kush mund ta bëjë?

Nuk besoj se do të ketë surpriza. Unë besoj se 3 skuadrat e para janë të konfirmuara, dilema është vetëm për një vend. Rezultateve nuk i dihet pasi ka ende ndeshje. Disa skuadra do luftojnë për të qenë pjesë e finales së madhe.

Mema dua të flasim për disa gjëra më të prekshme, për legjionarët kuqezi, e nisim me Ernest Muçin. Befasoi jo pak duke u transferuar te Beshiktash, në tre ndeshje në dy prej tyre është shpallur lojtari më i mirë, si e patë këtë lëvizje drejt gjigandit turk dhe sa do t’i shërbejë?

Më duket transferim normal. Muçi është lojtar inteligjent. Një lojtar që di të luajë futboll, mund të përshtatet kudo.

Pyetja që shtrojnë të gjithë tifozët është sa mund t’i shërbej Muçi ekipit Kombëtar, a është gati të marrë më shumë përgjegjësi edhe me fanellën kuqezi?

Po, unë mendoj që i ka të gjitha mundësitë. Në momente të caktuara, ai do të jetë i domosdoshëm. Broja ka oshilacione, Muçi është i konsoliduar. Edhe nga stoli, Muçi mund të jetë i rrezikshëm.

Një surprizë e bukur këtë kohë ka qenë dhe Rey Manaj, 14 gola në Turqi, konkurron me emra si Icardi dhe Dzeko, në këndvështrimin tënd, a e meriton Manaj një ftesë në Kombëtare? 

Nuk po them se e meriton apo jo. Ai ka luajtur edhe më përpara për kuqezinjtë. Trajneri Sylvinho do vendosë, besoj se do të marrë vendimin e duhur.  Besoj se do të jepet zgjedhja e efektshme. Shpresoj që të mos ketë dëmtime, për shkak të impenjimit javë për javë.

Ndryshe nga Manaj dhe Muçi nuk po rezulton si duhet kalimi i Brojës te Fulham, po luante më shumë te Chelesa, a rrezikon realisht Broja të qëndrojë jashtë “Euro2024”?

Broja duhet të shikojë te vetja në radhë të parë. Nuk diskutohen vlerat e tij, pasi dihen. Broja duhet të impenjohet te Fulham për të paraqitur vlerat e tij.

Sa do të na shërbejnë këto dy teste kundër Kilit dhe Suedisë, dy përfaqësuese me shumë traditë?

Këto miqësore do na shërbejnë shumë. Besoj se do i shërbejnë trajnerit për të qartësuar idetë e tij për formacionin bazë, pasi do jenë 3 ndeshje radhazi.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: