Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, theksoi se siguria e Evropës është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Ajo kërkoi që Evropa të përqendrojë vëmendjen në këtë rajon dhe të investojë në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë.
Në një postim në Facebook, Osmani tha se ky është një hap kyç për siguri të qëndrueshme dhe afatgjatë. Ajo shtoi se kërcënimet kryesore për kontinentin vijnë nga Rusia dhe Serbia.
“Në Samitin e Liderëve të EPC-së në Kopenhagë, në tryezën me liderë evropianë të fokusuar në temën e sigurisë, theksova se siguria e Evropës është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, Evropa duhet të përqendrojë vëmendjen e saj në këtë rajon, duke investuar në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë, si hap kyç për një siguri të qëndrueshme dhe afatgjatë”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani një ditë më parë para nisjes së Samitit të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Danimarkë foli për sigurinë në rajon dhe më gjerë, teksa theksoi se Serbia historikisht i ka trajtuar fqinjët e saj si shtete joekzistente, si shtete të përkohshme, duke vepruar ndaj tyre me agresion.
