Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, duke theksuar se Kosova është e gatshme për kapitullin e radhës në rrugën evropiane, atë të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Në një reagim pas takimit, Osmani u shpreh se dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke dhe në trajtimin e barabartë të palëve, duke nënvizuar njëkohësisht shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.
“Tani që janë hequr masat e padrejta, do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë evropianë për të ecur me vendosmëri drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi Osmani.
Pas takimeve në Prishtinë, Sørensen do të udhëtojë drejt Beogradit për takime me udhëheqës të Serbisë.
Vizita e tij në Kosovë vjen në një kohë kur vendi është në pritje të themelimit të institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.
